Tone të hidhura në një debat mes Elkann-it dhe Della Valle-s

Dje, në respublica, dhamë lajmin që kish të bënte me një takim të Presidentit të FIAT-it, John Elkann me studentë të Sondrio-s, dhe në këtë takim ai lëshoi një deklaratë që nuk të linte indiferent. “Të rinjtë e sotëm të papunë janë të papunë jo se s’ka punë, por se ata janë përtacë e çuna mami”, tha ai në thelb gjatë asaj bisede.
E vërteta është se ishin të shumtë ata që reaguan. Por sot ka reaguar dhe Della Valle (Diego), pronari i Fiorentina-s (klubit të futbollit) dhe i kompanisë së prodhimit të këpucëve Tod’s. Dhe ka reaguar me fjalë të forta. "Do na duhet të bëjmë një referendum, ku t’i përgjigjemi pyetjes nëse këtë djalë e duam akoma të qëndrojë në Itali, apo jo; është e turpshme që një i dinastisë ‘Agnelli’ të dalë e të thotë se sot në Itali ka vende pune, apo se janë të rinjtë që nuk kanë qejf të punojnë; vetëm një idiot mund të thotë të tilla gjëra; do bëjnë mirë ta mbajnë në shtëpi, apo ta dërgojnë diku me pushime”, është shprehur Della Valle.
Gjasat janë që të ketë qenë kaq i ashpër jo thjesht për këtë deklaratë të Elkann-it. Pak ditë më parë, John Elkann, në një debat lidhur me punët brenda grupit të botimit RCS (ky grup financon dhe gazetën Il Corriere della Sera), ku që të dy janë aksionerë, u shpreh se “nuk do merremi me Della Valle-n, pasi ai si biznesmen është një nano, një gjë e vogël e pa rëndësi”.
Re.Pu.
Add new comment