Tahiri i ankohet Nishanit për një gjyqtar

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri i ka dërguar një letër Presidentit të Republikës, Bujar Nishani në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë si dhe Ministrit të Drejtësisë, ku shpreh shqetësimin e përsëritur në lidhje me gjyqtarin e Gjykatës së rrethit gjyqësor Kavajë, Osman Aliu.
“Vendimet absurde dhe shpeshherë haptazi të kundërligjshme të këtij gjyqtari, përbëjnë shqetësim serioz për Policinë e Shtetit, e cila gjendet e detyruar të luftojë kriminalitetin ndaj të njëjtëve njerëz, që riciklohen të lirë në shoqëri nga vendime të tilla, tërësisht skandaloze”, thuhet në letër. Tahiri ka kërkuar nga Presidenti i Republikës që të vërë në lëvizje KLD, duke marrë masa radikale ndaj fenomeneve të tilla që cenojnë rëndë shtetin ligjor dhe drejtësinë.
Ministri ka paraqitur dhe një dosje të plotë me materialet që vërtetojnë shkeljet nga ana e gjyqtarit Osman Aliu si dhe një listë me disa nga rastet më flagrante të vendimeve të marra prej tij. Në këtë listë përmenden 9 raste të evidentuara përgjatë muajve shkurt – mars 2014:
· 5 shkurt – Shtetasi Aleksandër Tafa, i akuzuar për kryerje të marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitura, për të cilin prokurori kishte kërkuar “Arrest me burg”, është liruar në sallën e gjyqit. Në 12 shkurt, Gjykata e Apelit e rikthen në qeli.
· 6 shkurt – Shtetasi Kujtim Shala, akuzuar për kanosje të punonjësve të CEZ dhe Policisë, për shkak të detyrës, prokurori kërkoi “Detyrim paraqitje”, gjyqtari e liroi në sallë pa masë.
· 7 shkurt – Shtetasi Fatjon Metushi, akuzuar për vjedhje, prokurori kërkon arrest me burg, Gjyqtari Aliu e liron pa asnjë masë dhe Gjykata e Apelit e rikthen të akuzuarin në burg nën masën e arrestit.
· 25 shkurt – Shtetasi Ermir Gjuzi, punonjës i Task Forcës së CEZ ka përvetësuar 1 mln lekë nga persona të ndryshëm në shpërdorim të detyrës. Gjyqtari nuk ka vendosur asnjë masë sigurie për të dhe nuk ka zbardhur ende vendimin, megjthëse ka detyrim që ta kryejë brenda 5 ditësh, duke penguar prokurorin t’a apelojë vendimin.
· 16 mars – Shtetasi Marsel Prifti, prokurori ka kërkuar “Detyrim paraqitje” për drejtim të mjetit në mënyrë të parregullt, gjyqtari Aliu e ka liruar menjëherë nga salla e gjyqit pa asnjë masë sigurie.
· 17 mars – Shtetasi Nebi Hoxha, prokurori kërkon “Detyrim paraqitje” për dhunë në familje, gjyqtari Aliu e vlerëson ndalimin të paligjshëm, e liron në sallën e gjyqit, çështja është apeluar.
· 17 mars – Shtetasi Saimir Tatani, për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt prokurori kërkon arrest me burg, Gjyqtari Aliu e liron në sallën e gjyqit pa asnjë masë sigurie.
· 20 mars – Shtetasi Ardjan Almadhi, për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt, prokurori kërkon detyrim paraqitje, gjyqtari Aliu e liron në sallë pa asnjë masë.
· 23 mars – Shtetasi Kujtim Proshka, është liruar në sallën e gjyqit, ndërsa prokurori ka kërkuar “Arrest me burg”, pasi kundështoi forcat e policisë, u kap me armë luftarake dhe armë gjahu e municione pa leje. Gjyqtari nuk vendosi asnjë masë për të, e liroi në sallën e gjyqit.
Add new comment