Sulmi ndaj RENEA-s, hakmarrje e porositur nga burgu. Vëllezërit Aliko të dyshuarit kryesorë për vrasjen e efektivit

Dy vëllezërit Aliko, Arbioni dhe Albani, janë dhe dy personat kryesorë që dyshohen si përgjegjës për vrasjen e efektivit Ibrahim Basha në Lazarat. Dyshohet se ata janë hakmarrë për shkak të kontrolleve të shpeshta të policisë në banesën e tyre. Burime të prokurorisë thonë se ata kanë qenë prej muajsh nën përgjim. Kjo, pasi dyshoheshin të përfshirë në ngjarje kriminale, si sulmi në muajin mars. Prokuroria pritet që ndaj vëllezërve Aliko tashmë të kërkojë masën e arrestit me burg. Ndërkohë fshati Lazarat vijon të jetë i rrethuar nga rreth 400 forca speciale të pajisura me armatim të rëndë dhe që qarkullojnë me autoblinda, ndërsa kontrolle po ushtrohen në të gjithë zonën ku dyshohet se fshihet grupi i zjarrit. Pjesë e listës së personave të shpallur në kërkim nga Policia lidhur me këtë ngjarje janë edhe 8 persona, ndërsa në total janë shoqëruar 45.
Ndërkohë sipas gazetës “Panorama” sulmi me armë mbi forcat speciale në Lazarat dyshohet se ka lidhje me një vrasje në vitin 2007 në këtë fshat. Po sipas “Panorama” dyshohet se ky sulm është një hakmarrje ndaj operacionit të vitit 2007, ku mbeti i vrarë Sabri Shurdhi. Gazeta shkruan se policia ka psaur informacione se vëllai i Shurdhit, Floriani, që ndodhet aktualisht në burg, po organizon hakmarrjen për vrasjen e vëllait më 7 shtator 2007. Dyshimet janë më të forta pasi u qëllua mbi repartin RENEA, që kishte kryer vrasjen e Shurdhit. Për më tepër sulmi u krye pranë një memoriali të ngritur në nderim të Shurdhit. Për disa orë, grupi i armatosur ka qëlluar në ajër dhe nuk ka goditur asnjë efektiv të forcave policore lokale dhe as mbi FNSH-në. Ata kanë pritur që aty të shkonte RENEA. Vrasja e Shurdhit në vitin 2007 shkaktoi trazira në Gjirokastër. Shurdhi dyshohej për një vrasje dhe grabitje të armatosur. Ai qëlloi ndaj forcave RENEA, duke plagosur një prej tyre. Njësiti special ktheu zjarrin dhe e la të vdekur atë.
Add new comment