Studentët e Universitetit Publik “Hasan Prishtina” nisin protestat me moton “T’i kthejmë dinjitetin UP-së”

“T’i kthejmë dinjitetin UP-së”, me këtë moto studentët e Universitetit Publik “Hasan Prishtina” nisin protestën e tyre para Rektoratit. “Filan Rektori”, “Express doktoratura vetëm për 3 min”, “UP e Kosovës, jo e Indisë”, "Krejt Kosova Prof. Dr. Mr", "Zbritje, publikojmë punime shkencore për vetëm 79.99 euro", ishin parullat që mbanin në duar dhe që hidhnin studetët, ndërsa kërkesat ishin tri: Mashtruesit me në krye rektorin Ibrahim Gashi të japin dorëheqjen; policia të fillojë hetimet për mashtrimin disavjeçar; dhe subjektet politike t'i mbajnë duart larg nga universiteti.
Roland Sylejmani organizator i protestës tha se nuk do të tolerojnë ligjërimin në Universitet nga njerëz të zhytur në krim. “Nuk do të jetë kjo hera e fundit që do të protestojmë deri në shkarkimin ose dorëheqjen e rektorit Ibrahim Gashi. Universiteti i Prishtinës është kapluar prej njerëzve dhe krimit të organizuar në këtë vend. Ne si studentë nuk mund të tolerojmë të na ligjërohet prej Filan Fistekëve, prej njerëzve që janë zhytur në krim, prej zhvatësve, prej njerëzve të cilët abuzojnë me të hollat me të cilat i paguajmë ne semestrat”, tha Sylejmani.
Në përkrahje të studentëve dolën edhe organizatat studentore si Klubi Politik i Studentëve dhe Organizata për Studim, Kritikë, Veprim. Protestuesve nuk iu leuja të futeshin në oborrin e Rektoratit, i cili ishte i siguruar nga dhjetëra agjentë policie.
Nga ana tjetër, Rektorati vijon të heshtë, ndërsa nuk i kthen përgjigje as interesimit disaditor të Top Channel në lidhje me veprimet që do të ndërmerren.
Zh.
Add new comment