Sot 6 vjet nga tragjedia e Gërdecit, vetëm 2 në burg

Sot mbushen gjashtë vjet nga dita që në Gërdec ndodhi tragjedia e njohur, ku për shkak të shpërthimit të municionit në një veprimtari të paligjshme biznesi mbetën të vrarë disa dhjetra vetë e të plagosur dhjetra të tjerë. Shqiptarja.com ka këtë raportim me këtë rast:
Gjashtë vite më parë, Gërdeci për herë të parë në historinë e vet u vu në qendër të vëmendjes, në qendër të lajmeve të mediave shqiptare dhe botërore. Një shpërthim makabër në një punishte të demontimit të armëve dhe municioneve, që ishte ndërtuar me lejen e qeverisë së atëhershme të kryesuar nga Berisha, mori jetën e 26 njerëzve të pafajshëm, mes të cilëve gra dhe fëmijë të mitur, ndërkohë u plagosën mbi 300 të tjerë.
Mes viktimave dhe baxhanaku i ish-kryeministrit Berisha, për të cilin ai “s’kishte dijeni” e për më tepër në deklarimin para mediave i ndryshoi dhe emrin.
Ndërsa akuzohej si i përfshirë djali i kryeministrit, Shkelzeni. Pavarësisht se sot mbushen plot gjashtë vjet nga kjo tragjedi e përmasave të mëdha, ku humbën jetën 26 njerëz nga një punishte e licensuar nga shteti, ende familjarët e viktimave kërkojnë drejtësi për jetët e humbura, ndërsa të tjerë kërkojnë dëmshpërblim për mbetjen të gjymtuar e prishjen e shtëpive. Vetëm nga familja Deliu kishte pesë viktima, tre nga familja Cani e dy nga familja Durda. Kalvari i qëndrimit pas dyerve të Gjykatave për familjarët e viktimave të Gërdecit ka qënë pa fund, ku më aktive ishte Zamira Durda një nënë që ka humbur djalin 6-vjeçar në tragjedinë e Marsit 2008.
Ndërkohë, tashmë gjykata shqiptare e ka dhënë verdiktin e vet dhe në Apel. Nga personat e akuzuar si përgjegjës kryesorë të kësaj tragjedie kanë mbetur në burg vetëm Dritan Minxolli dhe Sokol Ngjeçi, ndërsa Ylli Pinari dhe Mihal Delijorgji janë në liri.
Pa përmendur dhe njerëzit e politikës të cilët janë akuzuar se kanë sjellë këtë tragjedi dhe as që është diskutuar të merren të pandehur.
Apeli vendosi reduktimin e dënimit për tre prej të akuzuarve kryesorë të tragjedisë së Gërdecit: Ylli Pinari nga 18 vjet dënohet me 15 vjet burg, ndërsa Dritan Minxhollit e Mihal Delijorgjit i reduktohet dënimi me 1/3. Kështu Minxholli dënohet me 12 vjet burg ndërsa Mihal Delijorgji dënohet me 6 vjet e gjysmë.
I fundit doli nga burgu falë uljes së dënimit. Vendimi u dha para një viti nga treshja gjykuese Alaudin Malaj, Gent Shala e Shkëlqim Miri, ku i pari tashmë është kandidatura e Presidentit për anëtar të Gjykatës së Lartë. Apeli reduktoi me një vit dënimin e Luan Hoxhës nga 6 në 5 vjet, ndërsa shpalli të pafajshëm Shpëtim Spahiun të dënuar me 4 vjet burg në shkallë të parë. Pjesa tjetër, me dënime të papërfillshme, duke bërë në këtë mënyrë që nga 29 të akuzuar të jenë në burg vetëm dy. Ndërkohë pandëshkueshmëria tashmë është dënuar jo vetëm nga qeveria e tanishme, por dhe nga ndërkombëtarët, që kanë vënë si kusht për integrimin në BE ,dënimin e zyrtarëve të lartë abuzues.
Çfarë shkruante New York Times
“New York Times” shkruan për afera korruptive që shkojnë shumë lart në rangun qeveritar shqiptar. Në skenë doli një biznesmen shqiptaro-amerikan i njohur, Kosta Trebicka. Me sa duket Trebicka kishte regjistruar një bisedë telefonike mes Diverolit. Ai tha se Kompania Amerikane që merrej me “demontimin” e armëve, ishte në dijeni të plotë për aferat abuzive që po ndodhnin në Shqipëri.
Po nga i njëjti burim, thuhet se në këto afera korruptive përfshihet dhe vetë kryeministri shqiptar Sali Berisha dhe djali i tij. Në regjistrimin vokal midis z. Trebicka e z.Deviroli, ky i fundit ankohet duke thënë se: “Puna shkoi shumë lart, deri te kryeministri dhe djali i tij ,–tha ai, -Unë s’mund ta luftoj këtë mafie. Është shumë e madhe. Kafshët kanë dalë nga kontrolli”.
Shkrimi u publikua sot (15.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Add new comment