Shpenzimet e fushatës, PS-PD me ulje, LSI me rritje; Kamza mban rekordin si më e shtrenjta

Kompanitë që prej vitesh merren me prodhimin e produkteve për fushatë (printime, outdoor) bien pothuajse të gjitha dakord se fushata zgjedhore nuk është nga më të shtrenjtat që është realizuar, përkundrazi. “Monitor” raporton se një gjë e tillë konfirmohet edhe nga agjencitë e printimit, të cilat kanë pohuar se, shpenzimet janë 20-30% më të ulëta se në fushatat e tjera, kryesisht nga dy partitë e mëdha PD dhe PS. Ndryshe nga partitë e mëdha, porositë e Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë pësuar rritje, sidomos për flamujt.
Ndërkohë burimet nga shtabet elektorale pranë partive pohojnë se financimet po sigurohen më së shumti nga vetë kandidatët. Burimet e fondeve janë nga më të ndryshmet, nga miq, shokë dhe dashamirës dhe simpatizantë. Stafet pohojnë se, fushata ka koston më të shtrenjtë në Tiranë për dy arsye. Qiratë e zyrave elektorale janë më të larta dhe gjithashtu spotet televizive për kandidatët që jepen në televizionet kombëtare zënë mbi 30-50% të fondeve që i dedikohen kryeqytetit për fushatë.
Kamza vlerësohet si një nga fushatat më të shtrenjta për sipërfaqen në të cilën zhvillohet gara. Kompania që ka kryer prodhimin e posterave për një nga kandidatët pohon se sasia e printuar është 4500 m2 për një kosto prej 20 mijë euro. Pothuajse të njëjtën sipërfaqe ka printuar dhe konkurrenti tjetër. Burime po nga e njëjta kompani pohojnë se për kandidatët e Tiranës ata kanë printuar nga 500 m2 për secilin, shumë më pak se për konkurrentët e Kamzës.
l.v
http://www.monitor.al/shpenzimet-ps-pd-me-ulje-lsi-me-rritje-kamza-mban-rekordin/
Add new comment