Selektiviteti në qëndrimet publike të kreut të qeverisë: rasti “Paloka-Ristani” dhe rasti “Balla”. Rasti “Dzanashvili” dhe rasti “Beccheti”

Postuar në 10 Qershor, 2015 06:49

Vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë për incidentin Ndoka-Ndreu-Strazimiri,është disi i papritur për shkak të flagrancës së ngjarjes dhe ekspozimit të saj publik. Gjithësesi është në tagrin e gjykatës dhe me gjasë askush nuk ka çfarë të bëjë më në këtë drejtim. Çështja si e tillë prodhoi lëvizjen e opozitës për dekriminalizimin, proces për të cilin mazhoranca nuk ka një qëndrim publik të qartë. Për të kuptuar qasjet selektive në këtë drejtim mjafton të mbajmë shënim reagimet dhe ndërhyrjet publike të kryeministrit për ngjarje që janë konsumuar së fundmi. Nëse marrim rastin e shpifjes, për të cilën duhet thënë se Edi Rama është prononcuar që në fillim të karrierës së vet, pra e ka bindje nevojën për të ndryshuar gjuhën e komunikimit publik, kemi dy raste së fundmi: dënimi i deputetëve Paloka dhe Ristani me nga 200 mijë lekë gjobë. Kryeministri nxitoi të publikonte një status në “Facebook” ku shkruante ndër të tjera: “...kjo lojë e ulët që e ka bërë shpesh politikën një neveri të vërtetë dhe i ka kthyer rëndom politikanët në lolo në sytë e qytetarëve, nga sot nuk është më e pandëshkueshme. Kush shpif siç bënë dy të dënuarit e sotëm, duhet të llogarisë mirë përballjen me ligjin...dy dënimet e sotme janë një lajm i mirë sepse nxjerrin edhe më qartë në pah nevojën për kriminalizimin e shpifjes si mjet lufte politike. Kjo e fundit do të thotë që speciet politike të cilat ushqehen duke shpifur për të tjerët dhe madje arrijnë të ngjiten deri në tempullin e parlamentit, nuk mjafton të shpallen fajtorë thjesht për kundravajtje penale kur shpifin; ato duhet të dënohen për krimin penal të shpifjes siç ndodh në vende shumë më të zhvilluara se Shqipëria. Prandaj, kjo beteje nuk mbaron sot dhe nuk mbaron me këto dy gjyqe. Sepse kjo nuk është një betejë ligjore me dy shkretane që jetojne me përsheshin e politikes së llojit më të ulët, por është një betejë kulturore kundër vetë politikës së këtij lloji! E cila ka ndotur si mos më keq çdo rrugë të komunikimit publik e qytetar në Shqipëri për 25 vjet rresht dhe është bërë shembulli me i turpshëm i komunikimit për rininë e këtij vendi”. Dakord me këtë qëndrim. Mirëpo dje u dënua për shpifje edhe deputeti Taulant Balla dhe kryeministri që na servir qëndrime parimore për shpifjen nuk denjoi të hidhte dy rreshta. Shkëlzen Berisha, palë fituese në gjyq me Ballën, ironizonte kryeministrin, teksa publikoi si status të vetin, pikërisht atë që kishte shkruar kryeministri. Dy ngjarje të tjera “analoge” për nga fakti se lidhen me akuzën e pastrimit të parave vijnë sërish në vështrim për të parë sesi reagon kreu i qeverisë. Është rasti “Dzanashvili” dhe rasti “Beccheti”. A u prononcua vallë kryeministri për rastin e parë? Jo, me aq sa kemi parë. Po për rastin e dytë? Po, me aq sa kanë përcjellë të gjitha mediat. Mirëpo në të dyja rastet nuk ka vendim gjykate, që të mund të japë të drejtën e prononcimit, por vetëm hetim, i cili e prezumon pafajësinë. Pavarësisht kësaj, kryeministri në rastin e parë, ku opozita ka përfshirë në akuzë edhe Ajola Xoxen, hesht, në rastin e dytë flet për sukses. Si të kuptohet ky qëndrim i dyfishtë? s.z

Comments

Submitted by Tufe hajdutesh ... (not verified) on

Shqiptaret shpetuan me vote nga papergjegjesia e pushtetit te Berishe/Ilir Metes, por pas bashkimit te befte te Etjes Per Pushtet me Parane e Madhe vjedhur Pangopshem, shqiptaret do ta kene me vone e me veshtire te shpetojne prej ketyre
Berisha do mbaj pergjegjesi afat/gjate, qe per te shpetuar
veten, na dorezoi tek keta dy te pacipe qe po ngrene vertete Republiken e Qelbur.
Dhe s'eshte njelloj me te dorezuarin e Re(s)publika-s, per mirenjohje...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.