Reagimet nga "Agon Channel"/Paneli, Sonila Meço, Andi Bejtja, Sajmir Kodra e Gent Zenelaj vendosin të flasin hapur. Mungon Krasta për shkak të orarit të gjumit, Lubonja i menduar te kafe “Piazza”

Postuar në 09 Qershor, 2015 13:31

Stafi shqiptar i televizionit “Agon Channel” ka dhënë mendimet e tij lidhur me urdhërin e Prokurorisë së Tiranës për të sekuestruar aksionet e këtij televizioni dhe arrestuar pronarin italian Françesko Beketi.  Një panel i përbërë nga Sonila Meço, drejtori editorial Andi Bejtja, prezantuesi dhe ish-kandidati për deputet i Partisë Socialiste, Sajmir Kodra si dhe aktori i humorit dhe pjesë e stafit të këtij televizioni, Gent Zenelaj kanë komentuar ngjarjet e fundit, duke e parë në këndvështrimin e tyre investimin që italiani Françesko Beketi ka bërë në "Agon Channel". Nuk dihet se për cfarë arsye i mungonin këtij paneli dy nga emrat e njohur të ekranit që janë pjesë e stafit të këtij televizioni, siç është prezantuesi Adi Krasta dhe opinionisti Fatos Lubonja. Sonila Meço që mbulon edhe pjesën më të madhe të programacionit me emisionet që drejton në “Agon Channel”  tha se Adi Krasta ishte duke fjetur gjumë në atë orar, ndërsa për Lubonjën nuk u tha ndonjë arsye. "ResPublica" u interesua dhe mësoi se Lubonja në atë orar ishte duke pirë kafe i vetëm dhe i menduar tek “Piazza” ku dhe banon. Sonila Meço u shpreh se Beketi është shembulli i bisnesmenit që solli i pari modelin e vetëauditimit të kompanive të tij në Shqipëri dhe se gjithçka e ka sqaruar përmes misionit transparencë.  Drejtori editorial Andi Bejtja tha se ky sulm në mes të fushatës elektorale tregon se urdhëri i Prokurorisë është me prapavijë politike dhe kërkoi që prokuroria të nisë verifikimin e burimit të financimit edhe për pronarët e mediave të tjera. Bejtja u shpreh se Beketi ka dhënë një kontribut të madh në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë në Itali dhe se lokalet, hotelet dhe restorantet mund të humbasin shumë kilentë italianë që kanë ardhur në Shqipëri për këtë shkak. Për Saimir Kodrën që drejton emisionin “Ca thu”, bllokimi i aseteve të "Agon Channel" është në vazhdën e vendimeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar dhe se Françesko Beketi është i vetmi që nuk u ka dhënë rryshfet politikanëve shqiptarë. Edhe aktori Gent Zenelaj ka qenë i mendimit se Edi Rama i ka mbyllur gojën një televizioni kritik ndaj tij.

l.m

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.