Rama polemizon me sloganin e Berishës “rruga është punësim”

“Rruga është punësim” ishte mbishkrimi i një foltoreje qeveritare inaugurimesh – këtë e thotë i pari i socialistëve në një shënim të vetin në blogun edirama.al. Dhe polemizon me këtë gjetje të ustallarëve të marketingut politik dhe elektoral të qeverisë. E nis me shifra. “Qeveria premtoi 160 mijë vende pune në vitin 2009 dhe brenda tre vjetësh u humbi shqiptarëve 51 mijë vende pune; kështu, u ka borxh njerëzve 211 mijë vende pune, 160 mijë që ua premtoi për t’u marrë votën e nuk ua dha dhe 51 mijë që i kishin vetë e ua humbi…. Tani u premton 250 mijë vende të reja pune, pra e rrit premtimin me rreth 45% në raport me 2009. Që do të thotë se nëse largqoftë do t’i gënjente e vidhte në votën e tyre edhe njëherë shqiptarët, pas tre vjetësh në rrugën e rrënimit të mëtejshëm, mund t’i çojë humbjet e vendeve të punës në 45% përqind më shumë, 74 mijë!”, thotë Rama.
Dhe e ilustron mosbesimin e tij tek slogani i qeverisë me shembuj të Afrikës, ku rrugë e tunele janë bërë, por “ku papunësia gëlon si kancer shkatërrues”. Dhe vijon: “Sepse nuk mjafton të asfaltosh. As të çash përgjatë rrugës ndonjë tunel. Aq më tepër pastaj nuk mjafton të hedhësh para për rrugë që nuk përmbushin asnjë standard në projektim, realizim apo mirëmbajtje. Duhet një projekt i integruar zhvillimi që ky vend s’e ka patur asnjëherë në 22 vjet.”
Shënimin e plotë e gjeni në linkun http://www.edirama.al/blog/muhabet-rrugesh/
Re.Pu.
Add new comment