Rama: Nuk ka më “gjej një shesh e bëj një përshesh”. Kush vendos një tullë pa leje ndiqet penalisht

Gjatë shpërndarjes së titujve të pronësisë për ata që kanë ngritur shtëpi banimi pa leje në Vlorë, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se me këtë proces mbyllet kapitulli i ndërtimeve ma peleje.
“Ata që kanë ndërtuar pa leje dhe e kanë bërë këtë me sakrifica të mëdha, me kursimet e gjakut në emigracion, me kursimet e bukës së gojës këtu, në vend, për të strehuar familjen e tyre, do të legalizohen falas. Dhe ata që më pas do të guxojnë të vënë një tullë pa leje, do të ndiqen penalisht. Nuk mund të vazhdojë më kjo histori që është e pashembullt për Evropën dhe që e ka bërë Shqipërinë një vend ku “gjej një shesh e bëj një përshesh”, është shprehur Rama në Vlorë.
Sipas njoftimit zyrtar të Kryeministrisë në qarkun e Vlorës janë bërë në vite rreth 25 mijë vetdeklarime dhe janë dhënë lejet e legalizimit për vetëm 2700 ndërtime. Ndërkohë qeveria e mëparshme, në 8 vjet, në rang vendi ka realizuar legalizime në masën 5-6 %, ndërsa në Vlorë ka legalizuar në masën 12 %, shumica dërmuese e të cilave janë legalizime problematike.
Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame sqaroi se kjo shifër nuk ka të bëjë me legalizimin në zonat informale, por legalizimet që janë kryer në bregdetin e vendit, ku shumica e tyre nuk duheshin legalizuar. “Ky 12 % nuk është në këto zona, nuk është në zonën e “Fushës së Aviacionit”. Në këtë 12 % janë pallate në Sarandë, objekte në Parkun Kombëtar të Butrintit, objekte në bregdet e kështu me radhë. Kjo e shpjegon faktin pse Vlora ka më shumë legalizime”, u shpreh Lame.
S.S
Add new comment