Rama Bashës: Jam i gatshëm për t’ju takuar sy më sy

Postuar në 22 Mars, 2014 08:57

Në letrën e parë drejtuar si kryetar opozite, kryeministri Edi Rama i kërkon kryetarit të Partisë Demokratike të ulen në tryezë për të gjetur konsensus për reformën territorial.

Rama thekson se synimi i koalicionit qeveritar është që kjo reformë të realizohet me konsensusin e opozitës pavarësisht se mund t’i ketë votat për miratimin e njëanshëm të saj.

Kreu i qeverisë e fton Bashën në takim “sy më sy, nëse ju do të donit të ndanit me mua çfarëdo shqetësimi lidhur me këtë çështje me interes kaq të veçantë për të gjithë. Për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë.”

Letra

I nderuar,

 Zoti Basha, reforma administrative-territoriale është konsideruar e domosdoshme, jo vetëm nga të gjitha partitë më të mëdha politike në vend, por edhe nga partnerët e Shqipërisë dhe nga organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare.

Synimi i shpallur i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” është që kjo reformë të miratohet me konsensus të plotë dhe gjithëpërfshirje të të gjitha forcave politike dhe grupeve të interesit. Deputetët tanë kanë votuar për ngritjen e një komisioni parlamentar për reformën administrative-territoriale, të bashkëkryesuar nga opozita dhe shumica, secila palë me numër të njëjtë anëtarësh dhe po ashtu me të drejtë vetoje në procesin vendimmarrës të komisionit. Pra komisioni parlamentar i siguron opozitës të drejta të njëjta me ato të shumicës nga fillimi në fund të procesit.

 Kështu, besoj se jo vetëm kaq, por edhe fakti se e presim tanimë prej kohësh opozitën të vijë në komision, dëshmon qartë vullnetin tonë për të për ta nisur e bitisur së bashku këtë proces, edhe pse disponojmë 84 votat e nevojshme për miratimin e reformës administrative-territoriale. Për gjithë sa më lart, vendosa të bëj edhe këtë përpjekje të drejtpërdrejtë në adresën tuaj, duke ju ftuar ta nisim pa humbur kohë bashkërisht, shumicë dhe opozitë, punën në komisionin për këtë reformë me interes të posaçëm strategjik për vendin. Lejomëni t’ju shpreh në fund gatishmërinë time për t’ju takuar sy më sy, nëse ju do të donit të ndanit me mua çfarëdo shqetësimi lidhur me këtë çështje me interes kaq të veçantë për të gjithë. Për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë.

S.S

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.