Qeveria i heq 18 000 ha AKKP-së. Do kalojnë për koncesione dhe qira

Qeveria ka vendosur sot që t’i heqë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave 18 076 ha tokë, pronë e ish-ndërmarrjeve bujqësore dhe ish-institucioneve kërkimore dhe t’ia kalojë atë Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujerave. Në të njëjtin vendim, qeveria ka shfuqizuar disa akte të mëparshme të qeverisë “Berisha” lidhur me fondin e caktuar për kompensim fizik të ish-pronarëve. Kështu shfuqizohen germa “c” e pikës 1 të vendimit nr. 567, datë 5.9.2007, vendimi nr. 868 datë 2008, pika 1 e vendimit nr. 459, datë 22.5.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për një ndryshim në fondin e kompensimit fizik të krijuar nga fondi i tokës bujqësore”; urdhri nr. 265, datë 1.10.2002, i Kryeministrit, “Për evidentimin dhe ndërprerjen e procedurave të tjetërsimit ose dhënies me qira të pronës shtetërore, tokë bujqësore, pyjore livadhe dhe kullota”, dhe urdhri nr. 287, datë 20.12.2006, i Kryeministrit, “Për evidentimin dhe ndërprerjen e procedurave të tjetërsimit të pronës së shtetërore, tokë bujqësore, livadhe dhe kullota”. Shihet se të gjitha janë akte nënligjore që lidhen me çështjen e ndjeshme të pronës. Ndërkohë qeveria ka urdhëruar edhe sesi do të bëhet administrimi i këtij fondi. Dhe konkretisht baza ligjore për këtë do të jenë ligji nr. 8318 datë 1.4.1988 “Për dhënien me qira të tokës bujqësore e pyjore, të livadheve dhe kullotave që janë pasuri shtetërore”, të ndryshuar, ligji nr. 125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik/privat”, dhe vendimit nr. 460, datë 22.5.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, rregullave dhe procedurave të dhënies me qira të tokave bujqësore në pronësi të shtetit. Thënë ndryshe, fondi i transferuar do të jepet për shfrytëzim.
s.z
Add new comment