Pyetjet pa përgjigje. Pse ekspertët janë të habitur me zhdukjen e fluturimit të Malaysia Airlines

Postuar në 18 Mars, 2014 04:20

E përditshmja Mapo ka përkthyer një shkrim të publikuar në gazetën The Guardian lidhur me avionin malajzian që ka humbur pa nam e nishan. Aty nyjëtohen disa pyetje, që kanë mbetur pa përgjgije. Po ua risjellim në faqet e respublica-s:

Më shumë se një javë pas zhdukjes së fluturimit MH370 të linjës Malaysia Airlines, një numër gjithnjë në rritje pyetjesh mbeten pa përgjigje ose të shpjeguara pjesërisht.

• Përse pasagjerët apo ekuipazhi nuk telefonuan në qoftë se ata e kuptuan se avioni ishte devijuar nga kursi ?

Ekspertët thonë se thirrjet mund të bëhen edhe në lartësi të mëdha. “Kjo është teorikisht e mundur,” tha Dan Warren , drejtor i lartë i teknologjisë në Shoqatën GSM. ” Ky është një faktor i variablave të shumta e të ndryshme. Kjo varet nga gama e spektrit në të cilin ju gjendeni së bashku me telefonin tuaj. Gjithashtu varet nga energjia e vetë celularit. Varet nga terreni dhe rrjeti mbi të cilin ata ishin duke fluturuar dhe nga marrëveshjet roaming të operatorëve të ndryshëm telefonikë. Në të vërtetë nuk mund të ketë një përgjigje qartësisht të prerë.” Nëse një aeroplan do të fluturojë mbi det, shtoi ai , kontakti telefonik do të ndalet së shpejti: “Nuk do të zgjasë shumë dhe do të humbë çdo lloj sinjali telefonik. Përsëri, kjo do të varet nga lartësia dhe drejtimi i fluturimit.” Disa avionë janë të pajisur me sisteme që u mundësojnë pasagjerëve të bëjnë thirrje duke përdorur një lidhje satelitore, por nuk mendohet se Boeing 777 ishte e pajisur me të.

• Çfarë roli mund të luajnë dyert e blinduara të kabinës?

Që nga 11 Shtatori i vitit 2001, linjat ajrore janë pajisur me dyer të blinduara, të destinuara për të parandaluar ndërhyrjet me qëllim marrjen e kontrollit. Në qoftë se ai që mori kontrollin e avionit është mbyllur brenda atyre dyerve, ka shumë pak mundësi që te tjerët të mund të bëjnë dicka. “Ato janë dizenjuar të jenë të pathyeshme, kështu që gjashtë terroristë nuk mund t’i shkallmojnë. Janë të përforcuara me çelik, me një mekanizëm solid mbylljeje. Supozimi është që ju do të keni gjithmonë dy ose tre njerëz në kuvertën e fluturimit dhe ata nuk do të çmendeshin që të gjithë.” Dyert gjithashtu hapen shpesh, për shembull për t’u dërguar ushqim pilotëve, si dhe në raste të tjera. Javën e kaluar dolën fotografi të bashkë-pilotit të fluturimit MH370 duke shfaqur atë teksa argëtonte disa turiste adoleshente brenda kabinës së avionit gjatë fluturimit të mëparshëm.

• Pse autoritetet e Malajzisë duket që besojnë se sistemi Acars i komunikimit të avionit u fik qëllimisht?

Përgjigja e shkurtër është, është e vështirë të thuhet. Ndryshe nga transponderët, Acars është opsional, sipas Inmarsat-it, kompanisë satelitore që mirëmban rrjetin. “Për shkak se Acars nuk është i detyrueshëm për të gjitha linjat ajrore, për këtë arsye nuk është funksionon universalisht në të njëjtën mënyrë,” tha David Coiley, zëvendëspresidenti i Inmsarat-it për aviacionin. ” Në qoftë se është fikur mund të dërgoni mesazhe të ndryshme në tokë, në varësi të rregullimeve të funksionimit.” Sinjalet e përhershme të satelitëve prej të cilëve hetuesit kanë përcaktuar se aeroplani fluturoi për disa orë janë pjesë e sistemit bazë Inmarsat, mbi të cilat Acars është i bashkëngjitur. Sinjale të tilla, të njohura si “mesazhe rrahje zemre”, janë në gatishmëri për të kontrolluar nëse një aeroplan është ende i loguar në rrjetin satelitor.

• A mund të ketë humbur presionin aeroplani?

Ka shembuj të avionëve që fluturojnë për orë të tëra para mbarimit të karburantit pasi humbja e presionit brenda në kabinë t’i ketë lënë pilotët pa ndjenja. Në vitin 2005, 121 vetë vdiqën kur një aeroplan qipriot u rrëzua në një mal pasi ekuipazhi duket se i injoroi apo i keqkuptoi paralajmërimet rreth presionit të kabinës. Një humbje graduale e presionit të kabinës mund të jetë e vështirë të vërehet, tha Allerton: “Pilotët ushtarakë trajnohen për të zbuluar hipoksinë, por pilotët civilë përgjithësisht jo. Kjo është dicka shumë e fshehtë, ju nuk mund ta kuptoni në kohën që po ju ndodh, dhe në momentin që ju e zbuloni është tepër vonë, pasi ju jeni të përgjumur.” Megjithatë, fakti që avioni duket se e ka ndryshuar qëllimisht kursin, me transponderët dhe komunikimet e tjera të fikur, e bëjnë këtë të duket e pamundur.

• Si mund të zhduket një aeroplan?

Sipas profesorit David Allerton nga Universiteti Sheffield, çështja kryesore duket se ka qenë mungesa e reagimit në terren. Ai tha: “Nëse kjo do të kishte ndodhur në Evropë apo në Amerikën e Veriut unë mendoj se brenda disa dhjetëra minutave njerëzit do të kishin nuhatur se atje po ndodhte diçka shumë e çuditshme, dhe ata do të kishin bërë diçka, për shembull do të ishin përleshur brenda në avion. Nëse ju humbni komunikimin me një avion, dhe sigurisht, nëse ju humbni kthimin e sinjaleve të transponderëve të tij, ju supozoni se ka ndodhur diçka shumë e rëndë. Mua nuk më duket se autoritetet e Malajzisë ishin shumë të përgjegjshme për atë që po ndodhte në hapësirën ajrore të tyre. Kur ju pyesni: “Si mund të ndodhë kjo?”, në qoftë se kontrollorët e trafikut ajror nuk kanë qenë duke i monitoruar gjërat sic duhet, atëherë ndodh që duhet të kalojnë shtatë orë përpara se dikush ta kuptojë se avioni nuk ka shkuar në destinacion.”

http://www.theguardian.com/world/2014/mar/17/questions-unans...

 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.