Puset e Patos Marinzës, rruga “e dyshimtë” nga nëntoka në automjet. Prodhimi vendas lulëzon me kosto të rënda mbi cilësinë dhe evazionin fiskal

Biznesi i karburanteve po i kthehet ciklit të mbyllur, nga puset e Patos Marinzës në serbatorët e makinave. Prodhimi i vendas duket se po lulëzon me kosto të rënda mbi cilësinë dhe evazionin fiskal. “Monitor” shkruan se 30% e tregut dominohet nga nafta e vendit, e cila e ka të pamundur të përmbushë standardin e cilësisë për squfurin dhe pikën e flakërimit. Rrugëtimi me spekulime i naftës “Made in Albania” nga rafineritë vendase deri te pikat e pakicës nën emrat e mëdhenj ndërkombëtarë. Sipas “Monitor” nafta që prodhohet në Patos Marinëz është rikthyer për konsum në treg, por rruga nga nxjerrja, përpunimi dhe më pas shitja në pikat e pakicës është pak e mjegullt, me dyshime për cilësinë dhe me pak transparencë. Paqartësitë shtohen edhe më shumë kur qeveria zbulon vetëm këmbët dhe jo kokën për standardin vendas të hidrokarbureve. “Monitor” raporton gjithashtu se sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Energjetikës këtë vit pritet që nafta bruto për përpunim të arrijë në 600 mijë tonë (e përthyer në 150 mijë tonë që hidhen për konsum) por saga e vërtetë zë fill në ciklin që nafta e Ballshit bën deri kur shkon te pompat e furnizimit me pakicë. E gjithë kjo tingëllon pak absurde, kur pikërisht këto ditë, qeveria është përfshirë në një aksion për disiplinimin e evazionit dhe cilësisë në tregun e hidrokarbureve. Por, nëse standardi i naftës vendase nuk sqarohet me prova zyrtare atëherë hijet e rënda bien mbi ndershmërinë e aksionit dhe për më tepër cilësinë që u ofrohet konsumatorëve shqiptarë tashmë të cenuar.
l.v
http://www.monitor.al/nafta-vendase-rruga-e-dyshimte-nga-nentoka-ne-automjet/
Add new comment