Pritë në mesnatë autobuzit të Athinës, dy të plagosur pranë Tepelenës

Një sulm i armatosur me synim grabitjen ka ndodhur sot 1 orë e 20 minuta pas mesnatës, në aksin Tepelenë-Krahës, në drejtim të autobusit të linjës Athinë-Tiranë me targë AA 578 GC. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:20 minuta të mëngjesit të sotëm në aksin rrugor Tepelenë-Krahs, në vendin e quajtur Mogila. Dy të plagosur u shkaktuan si pasojë e të shtënave, pasagjerët Laurent Tabaku, 23 vjeç nga Elbasani dhe 19-vjeçarja Q. Xhihani. Të plagosurit janë dërguar me urgjencë në spitalin e Fierit, nga ku bëhet e ditur se 23-vjeçari ndodhet në gjendje të rëndë, ndërsa 19-vjeçarja është plagosur lehtë, jashtë rrezikut për jetën. Pasi pikasi pritën, shoferi vendosi t’i japë gaz mjetit dhe grabitësit, që ishin më shumë se dy, shtinë me breshëri automatiku ndaj autobuzit me 16 persona. Mjeti ndaloi vetëm kur gjeti patrullën e qarkullimit në fshatin Beraj. Në këtë aks, ku vazhdojnë të kryhen punime dhe mjetet ecin ngadalë, janë kryer dhe herë të tjera grabitje automjetesh. Patrullat e qarkullimit hasen shpesh gjatë ditës, por natën, dhe pikërisht në xhepa të pandriçuar e të parrahur, banditët nuk e kanë problem të ngrenë prita.
a.k
Add new comment