Presidenti francez Hollande, në pozitë delikate. Të martën, në një konferencë për shtyp do të sqarojë gjithçka...

Është vënë në pozitë të vështirë Presidenti francez Francois Hollande pas publikimit nga revista “Closer” të lidhjes së fshehtë mes tij dhe aktores Julie Gayet.
Presidenti do të bëjë një njoftim të rëndësishëm politik ditën e martë dhe druhet se qëllimi i fjalimit të tij mund të errësohet nga thashethemet. Një gazetë franceze shkruante se lajmi ishte “katastrofik” në të gjitha aspektet për presidentin. Nga ana e tij, zoti Hollande deklaroi se publikimi i atij lajmi ishte një sulm ndaj të drejtës për privatësi. Ai shtoi se mund të padisë revistën, por nuk e mohoi marrëdhënien me aktoren.
Konferenca e shtypit e javës së ardhshme ka si qëllim prezantimin e programin ekonomik të presidentit për vitin e ri, me publikimin e detajeve me anë të të cilave do të nxitet rritja ekonomike dhe do të krijohen vende pune.
Korrespondenti i BBC në Paris thotë se zoti Hollande mund të detyrohet të bëjë ndonjë deklaratë zyrtare në lidhje me pozitën e tij personale, në mënyrë që të shtrojë terrenin për të martën. Atij mund t’i pëlqeje të mendojë se dashuria është pjesë e jetës së tij private, por tani që afera është publikuar, ai duhet të japë shpjegime se si qëndrojnë punët, thotë korrespondenti.
Pyetjet kyçe janë nëse ai është vërtetë i lidhur me aktoren Julie Gayet dhe nëse po, çfarë do të ndodhë me partneren e tij Valerie Trieweiler, e cila jeton me të në pallatin Elize. Gjithashtu, një tjetër pyetje është: kush do ta shoqërojë presidentin në vizitën e tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara, e parashikuar për muajin e ardhshëm.
Zh.
Add new comment