Policia deklaron rezultatet e operacionit “anti-tritol”

Postuar në 29 Janar, 2014 11:37

 

Drejtori i Policisë së Qarkut Tiranë, Ardian Çipa ka dalë pak minuta më parë në një konferencë për shtyp ku ka përcjellë për opinionin rezultatet e operacionit të zhvilluar sot. Çipa ka dhënë hollësi dhe detaje për personat e arrestuar si dhe veprat penale që ata kanë kryer në vite, ndër të cilat edhe vënie eksplozivi në banesën e ish-deputetit demokrat, Ardian Kollozi. Për shtetasin Julian Sinanaj, i ndaluar pak ditë më parë, bëhet e ditur se ai ka banuar në shtëpinë ku u gjetën sot 10 bombat me celular, përveç faktit se aktualisht atij i faturohen 20 vrasje me pagesë. Më poshtë deklarata e plotë:

Për herë të parë Policia e shtetit ka arritur të zhvillojë hetime të gjithanshme mbi persona të dyshuar si vrasës me pagesë dhe aktivitete të rënda kriminale, duke zbardhur zinxhirin e plotë që nga porositësi i vrasjeve, te ndërmjetësit e deri tek ekzekutorët e vrasjeve, qoftë me armë, qoftë me eksploziv. Policia e Shtetit ka zbuluar një grup të strukturuar kriminal, i cili sipas të dhënave të para të hetimit dyshohet të jetë përfshirë në një sërë ngjarjesh të rënda të ndodhura në qytetet e Tiranës, Durrësit dhe Vlorës, në një hark kohor prej rreth 2 vjetësh. Si rrjedhim i një operacioni të gjerë policor, pas hetimeve intensive Drejtoria e Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës, Departamentin për Krimin të Organizuar dhe Krimet e Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë dhe Prokurorinë për Krime të Rënda Tiranë e Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë bëri të mundur dokumentimin ligjor të aktivitetit kriminal të shtetasve:

1.         J.S., 31 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Vlorë, i padënuar më parë.

2.         N.Gj, 30 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, i padënuar më parë.

3.         Genis Bardhyl Mëhillaj, 43 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, i padënuar më parë.

4.         Andon (Erion) Ismet Mëhillaj, 39 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, i padënuar

            më parë.

5.         Marion Kostandin Mitro, 42 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, i padënuar më

            parë.

Policia ka mundur të arrestojë shtetasit J.S, N.GJ dhe Marion Mitro dhe njëkohësisht të parandalojë vrasjen e një biznesmeni, e cila ishte porositur dhe ishte duke u realizuar nga personat e lartpërmendur. Ndërhyrja në kohë e policisë bëri të mundur që të dështonte plani i vrasësve dhe të shpëtohej jeta e biznesmenit. Nga veprimet hetimore proceduriale të kryera, ka rezultuar se shtetasit e lartpërmendur, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, janë autorët e dyshuar të një sërë ngjarjesh të rënda kriminale, ndër të cilat:

1.         Vrasja e shtetasit Sokol Veizi, më datë 26 gusht 2012 në Orikum të Vlorës;

2.         Vrasja e shtetasit Agron Çela, në datë 20 gusht 2013 në Vlorë.

3.         Vendosje e lëndës plasëse në banesën e shtetasit Ardian Kollozi, më datë 1

            qershor 2013 në Vlorë.

4.         Vendosje e lëndës plasëse në automjetin e Prefektit të Vlorës Besnik Dervishi, në

            datë 13 dhjetor 2013 në Tiranë.

5.         Vendosje e lëndës eksplozive në motoçikletën e shtetasit E.B. në rrugën

            Transballkanike në Vlorë më datë 24 tetor 2013.

6.         Vendosje e lëndës eksplozive në automjetin e shtetasit E.B. në Vlorë në datë 31

            gusht 2013.

Gjithçka ka nisur pak ditë më parë, me arrestimin e shtetasit J.S, 30 vjeç nga Vlora, i cili ishte mbajtur në vëzhgim nga policia e Tiranës, pasi dyshohej ai autor i mundshëm i disa veprave të rënda penale dhe person më rrezikshmëri të lartë, pasi kishte njohuri të posaçme në prodhimin dhe vendosjen e eksplozivëve të telekomanduar. Ky person, përveç aktivitetit kriminal në vendin tonë, dyshohet se është autor i mbi 20 vrasjeve me pagesë, si dhe veprave të tjera penale të rënda në shtetin grek. Me cilësinë e provës materiale në banesën që jetonte me qera shtetasi J.S. në Tiranë u sekuestrua një arsenal i tërë armësh dhe lëndësh plasëse me telekomandat përkatëse:

1.         Një armë zjarri, pistoletë e markës CERVENA ZASTAVA me 15 copë fishekë;

2.         Një armë zjarri, pistoletë me dy krëhëra me 15 copë fishekë;

3.         Një armë zjarri Scorpions, zhurmë zbutës(silenciator)

4.         Një armë zjarri, pushkë automatike Mod 63 "Snajper";

5.         Kallëpe eksplozivi të dyshuar si Tritol;

6.         347 copë fishekë armësh zjarri të kalibrave të ndryshëm;

7.         Granata dore mbrojtëse, copë 3;

8.         Lëndë plasëse e dyshuar si C4;

9.         Kapsolla elektrike, detonatorë, copë 8;

10.       Ndezës, detonator për granata dore, copë 3;

11.       Pajisje adaptor për aktivizim nga distanca të lëndëve shpërthyese;

12.       14 copë aparate telefonikë, celularë të markave të ndryshme;

13.       Bateri telefonash celulare të markave të ndryshme, copë 9;

14.       Aparat fotografik i markës CANON me fotografi të personave të ndryshëm;

15.       Tabletë elektronike të markës SAMSUNG me pamje filmike;

16.       6 copë karta memorie;

17.       Targa automjeti AR 003JT, kapuç deveje, doreza për punime te ndryshme;

18.       Tel përcjellës me ngjyrë të kuqe dhe të verdhë, shirita ngjitës, kaçavida të  

            ndryshme për punime të imëta, çelësa të ndryshëm, gërshërë me dorezë plastike

            pajisje elektrike INVERTER, bateri 12 volt;

19.       Një jelek antiplumb, veshje të ndryshme, doreza ebaniti për armë zjarri pistoletë,

            doreza të gomuara;

20.       Mbajtëse copë 8 kartë telefonike të kompanive të ndryshme telefonike, spina

            karikues, fisha dhe pajisje Bluetooth;

21.       Pasaportë dhe dokumente në gjuhën greke në emër të J.S.;

22.       Libreza dhe fatura për transferta bankare në emër të këtij shtetasi;

23.       Lekë shqiptare në shumën 52000 lekë të reja;

Në kuadër të këtij operacioni, policia ka mundur të arrestojë sot paradite në aeroportin "Nënë Tereza", shtetasin Marion Mitro, teksa tentonte të largohej jashtë vendit. Policia e kishte nën mbikëqyrje Mitron dhe ka ndërhyrë në momentin e duhur për ta ndaluar atë. Ky shtetas dyshohet se është porositësi i lëndës eksplozive që u vendos në automjetin e Prefektit të Vlorës në datë 13 dhjetor 2013 dhe që u zbulua në hyrje të godinës së kryeministrisë. Shtetasit Genis Mëhillaj dhe Andon (Erion) Mëhillaj janë shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda ka vendosur ndaj tyre masën e sigurisë arrest me burg për veprat penale "Vepra me qëllime terroriste". Vazhdon puna për dokumentimin ligjor të veprimtarisë të këtyre shtetasve si dhe personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Materialet e çështjes ju dërguan Prokurorisë për Krime të Rënda për veprat penale  parashikuar nga nenet 78, 79/c, 230/a, 278/3/4, 22,25 të Kodit Penal.

s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.