Po tërhiqet LSI-ja nga pretendimi për kryeprokurorin?

Postuar në 02 Shtator, 2012 08:49

Pak kohë më parë një prej eksponentëve kryesorë të LSI-së, Spartak Braho, nuk e fshehu aspak ambicien e tij për t’u zgjedhur Prokuror i Përgjithshëm. Një intervistë e tij për një të përditshme shqiptare, ku u vetëofrua për këtë post, ngjalli mjaft reagime ndërkohë që në skenën politike shqiptare u kthyen bisedimet jo formale dhe të vështira mes dy partive kryesore në mazhorancë për çështjen në fjalë. Por sa duket LSI-ja e ka humbur këtë betejë andaj përgjigjja që vjen nga kjo forcë politike (të paktën zyrtarisht) është krejt formale; atë e zgjedh vetëm Presidenti i Republikës. I pyetur nga media në një konferencë për shtyp se mbi çfarë kushtesh, dhe nga duhet të vijë emri i kryeprokurorit të ri të Republikës, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, u përgjigj: “…Çështja e Prokurorit të Përgjithshëm nuk mund të jetë një çështje interesash partiake, nuk mund të jetë një kandidaturë që vjen prej interesave apo prej kompromiseve partiake dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, duke qenë një forcë politike që qysh në themelimin e vet ka kredo të saj funksionimin e pavarur të institucioneve kushtetuese, ka investuar gjithë angazhimin e vet për ndarjen e pavarësisë së pushteteve dhe respektimin e tyre në përputhje me Kushtetutën, nuk mund të jetë pjesë e këtij debati apo e këtyre komenteve politike. Atributin për të zgjedhur dhe për të emëruar Prokurorin e Përgjithshëm në bazë të Kushtetutës e ka presidenti i Republikës dhe duke qenë se ky është një tagër kushtetues i Presidentit të Republikës është në të drejtën e tij të gjykojë, të vlerësojë dhe të vendosë se çfarë do të bëhet me Prokurorin e Përgjithshëm”. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së u pyet gjithashtu nëse kishte një marrëveshje me Partinë Demokratike për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri të vendit. “Lëvizja Socialiste për Integrim nuk bën asnjë marrëveshje që i bie ndesh parimeve themelore të funksionimit të shtetit të së drejtës, parimit të respektimit të pavarësisë dhe integritetit kushtetues të organeve të drejtësisë dhe të të gjitha institucioneve të tjera kushtetuese. Lëvizja Socialiste për Integrim është pjesë e mazhorancës qeverisëse për të kontribuar siç ka kontribuar në konsolidimin e demokracisë në vend, në konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe në konsolidimin e funksionimit kushtetues të institucioneve të pavarura kushtetuese”, u përgjigj Rama. Duke deklaruar publikisht se çështja e kryeprokurorit është kompetencë e Nishanit e për pasojë mos ndërhyrjen për emrin e ardhshëm që do të dekretohet, LSI-ja ka kërkuar nga PD-ja që kjo e fundit të tërhiqet nga kërkesa për referendum. “…Ne gjykojmë që heqja e imunitetit, si një kusht i rëndësishëm i Bashkimit Europian që Shqipëria të përmbushë detyrimet që kërkon marrja e statusit si vend kandidat, mund të realizohet në Kuvendin e Shqipërisë. Kuvendi mund të jetë institucioni ku të realizohet konsensusi politik, në mënyrë që të votohet heqja e imunitetit dhe që në tetor Bashkimi Europian të ketë mundësinë të vlerësojë realisht mbi detyrat që Shqipëria ka përmbushur. Çështja e heqjes së imunitetit nuk mund të jetë dhe të shndërrohet në një retorikë pafund apo një çështje polemikash që nuk prodhojnë asgjë midis forcave politike. Ajo nuk mund të jetë një refren i pambarimtë dhe patetik. Por është një detyrë që duhet zgjidhur, është një detyrë që duhet plotësuar dhe çdo fjalë apo e gjithë retorika që  e shoqëron këtë çështje nuk i shërben zgjidhjes së përmbushjes së kësaj detyre dhe nuk kontribuon që politika shqiptare të shfaqet në nivelin e përgjegjësive që duhet të përmbushë në lidhje me interesat e vendit”, – tha ai.

(Marrë nga gazeta Mapo)

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.