Presidenti dekreton zgjedhjet në Tiranë mbi një VKM të pezulluar. Injoron Gjykatën Kushtetuese

Postuar në 01 Tetor, 2025 16:44

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar pak më parë 9 nëntorin si ditë të zgjedhjeve të pjesshme lokale. Ai i është referuar nenit 92 dhe 93 të Kushtetutës që i jep Presidentit kompetencën e dekretimit të datës së zgjedhjeve. Në dekret, Begaj ka përfshirë edhe zgjedhjet në Tiranë. Në arsyetimin e vet(https://www.syri.net/politike/825168/dekreti-per-tiranen-begaj-me-bindi-...) Presidenca sqaron ndër të tjera se:

Për shkak të interesit të lartë publik, Institucioni i Presidentit të Republikës sqaron se për vakancën e krijuar në Tiranë, Presidenti shqyrtoi rregullshmërinë e procedurës së ndjekur, në këndvështrim të respektimit të pavarësisë dhe autoritetit propozues të këshillit bashkiak dhe konstatoi se deklarimi i vakancës është bërë në përfundim të një procesi konstatimi dhe verifikimi, të kryera sipas kompetencës nga Këshilli Bashkiak Tiranë dhe nga Këshilli i Ministrave.

Në respekt të neutralitetit institucional, Presidenti i Republikës nuk shqyrton meritën e çështjes

Por paragrafi pasues përgënjeshtron atë më sipër, pasi në të vërtetë, presidenca vë në dukje se ka hyrë në meritën e çështjes, duke interpretuar procedurën dhe CILËSIMIN JURIDIK të shkeljes për të cilën është shkarkuar Erjon Veliaj. Thotë Presidenca:

Nga praktika dokumentare e çështjes rezulton, se Këshilli i Ministrave ka referuar tek kuadri ligjor, i cili përcakton se shkarkimi për “mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë” përbën rast të ndryshëm nga shkarkimi “për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve” që parashikon neni 115 i Kushtetutës, gjë që do të thotë se për VKM nr.539, datë 25.09.2025 nuk zbatohet juridiksioni kushtetues për të drejtën e ankimit, por juridiksioni gjyqësor administrativ.

Vendimi i Këshillit të Ministrave që shkarkon kryetarin e bashkisë “për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve” pezullohet, në rastin kur ndaj tij paraqitet ankim në Gjykatën Kushtetuese. Çdo vendim tjetër që shkarkon kryetarin e bashkisë për shkakun, se ky i fundit “dënohet për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë, nga gjykata” ose se “propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë”, përveçse ankimohet në Gjykatën Administrative (jo në Gjykatën Kushtetuese), pezullohet vetëm nëse pezullimi urdhërohet posaçërisht nga Gjykata Administrative.  Sikurse rezulton nga dokumentacioni shoqërues i VKM-së, ky sqarim ligjor ka qenë në dispozicion të palës dhe të publikut që në datën 25.09.2025.

Presidenti i Republikës konstaton se në periudhën nga data e miratimit të VKM-së nuk është regjistruar ankim në organin kompetent gjyqësor dhe nuk ka një vendim pezullimi nga ana e tij, ndërkohë që afati i Presidentit të Republikës për shpalljen e zgjedhjeve është vetëm 48 orë nga marrja e njoftimit.

Me daljen e dekretit, mjetet ligjore mbeten në dispozicion të palëve me qëllim që ato të realizojnë mbrojtjen e interesave të tyre të ligjshme

Mirëpo ankimi në Gjykatën Kushtetuese nga Veliaj është fakt I njohur publikisht dhe siç deklaroi vetë Gjykata, ai ka vlerën e njoftimit zyrtar me shpalljen e tij. Në këtë kuptim, presidenti është njoftuar se ka një procedurë të vënë në lëvizje në referim të nenit 115 të Kushtetutës dhe Presidenti i Republikës nuk mund të mos e konsiderojë atë. Sidomos nëse në arsyetimin e tij presidenti na thotë se “nuk hyn në meritën e çështjes”. Regjistrimi i ankimit e nënkupton ekzistencën e një shkaku apo rrethane që meriton shqyrtim sipas dispozitës në fjalë, zbatimi I së cilës është I detyrueshëm edhe për presidencën. Që në këtë rast ka marrë të mirëqenë vetëm një linjë informacioni dhe reference institucionale. Neni 115 thotë qartë në pikën 3 se:

Që do të thotë se vendimi I Këshillit të Ministrave qysh me marrjen e ankimit nga Gjykata, quhet i Pezulluar. Dekreti vetë ngrihet mbi një vendim pa juridiksion efektiv çka e bën atë nul. Të vihet re edhe vënia në evidencë e faktit se Presidenti ka vetëm 48 orë kohë për dekretimin. Ky aspekt ndoshta e kontekstualizon ankimin e Veliajt si manovër për të bllokuar presidencën, mirëpo në dritën e pretendimeve të Veliajt, duhet thënë se ai po konteston të gjithë procesin për të drejtat e veta, çka e bën Gjykatën Kushtetuese stacion të detyrueshëm të mbrojtjes së tij.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.