SHBA nuk e di më as vetë se çfarë synon në Kosovë

Postuar në 25 Shtator, 2025 17:20

Në një shkrim të vetin, gazeta “Koha Ditore” në Kosovë, sjell një reagim të një “Zyrtari të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit” që shpjegon në kushte anonimati arsyet se pse SHBA vendosi të ndërpresë dialogun strategjik me Kosovën.

Gjëja e vetme që do ta theksoja veçanërisht, që për ne ishte më shqetësuese, ishin përpjekjet konkrete për t’ua pamundësuar qytetarëve të Kosovës, dhe në këtë rast serbëve të Kosovës, që të zgjedhin përfaqësuesit e tyre, si në kuptimin e gjerë, ashtu edhe në pozitat udhëheqëse në institucione. Ka një varg veprimesh më gjerësisht, lidhur me veriun, që mendojmë se do të ishin destabilizuese dhe për të cilat kemi ngritur shqetësime. Por mendoj se gjëja kryesore që duam të theksojmë janë veprimet që do t’u mohonin qytetarëve të Kosovës të drejtën për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre…Ne ishim të qartë, gjithashtu, se do të kishte pasoja nëse kjo do të vazhdonte. Dhe në një moment e ndiem se nuk mund të prisnim më gjatë dhe se duhej të mbronim interesat tona

ka thënë ai.

Një muaj më parë, diplomatja kryesore amerikane e akredituar në Kosovë, Anu Prattipati, i pati shkuar në zyrë kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për t’i kërkuar që të ndalen veprimet që i pamundësojnë subjekteve politike serbe pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Ajo ia pati bëri të ditur se SHBA-ja është duke e vëzhguar këtë çështje. Por, megjithatë, atë pasdite KQZ-ja mori vendim që Lista Serbe të mos certifikohet, gjë që pastaj u hodh poshtë nga PZAP-ja.

shton gazeta.

Nëse kjo është e vërteta e asaj që ka ndodhur nga ana e SHBA, atëherë në planin e brendshëm, Albin Kurti do të rikapitalizojë për të marrë eventualisht pikë në arsyetimin logjik të ngjarjeve. Çfarë do të thotë kjo?

Kjo do të thotë se spekullimet e bëra nga përfaqësues të opozitës kosovare për vendimin e SHBA zhbëhen pasi siç po rezulton vendimi është kushtëzuar nga ndryshimi i status quosë në Veri, futjen e tij nën kontrollin e Prishtinës. Le të kujtojmë sesi ndodhi një gjë e tillë. Çdo gjë nisi me reciprocitetin, politikë që u kundërshtua nga Perëndimi. Por u diktua nga qeveria Kurti. Mandej Beogradi u sugjeroi serbëve mospjesëmarrje në zgjedhjet lokale, dorëheqje nga detyra të punonjësve të policisë në Veri duke lënë fushën bosh. Zgjedhjet u zhvilluan, u certifikuan nga Perëndimi, që mandej i kërkonte Kurtit të tërhiqte të zgjedhurit pasi kishim të bënim me legjitimitet të cunguar.

Asgjë nuk ndodhi. I mësuar me një politikë të caktuar Beogradi veproi në Banjskë, më 23 shtator 2023 duke kryer në ditën me diell veprime të komanduara nga kreu i Listës Srpska, Milan Radoiçiç. Sot e kësaj dite i lirë në Serbi. Që nga ajo kohë e më pas, procesi është zhvilluar në shinat institucionale edhe pse veprimet bllokuese dhe përjashtuese nuk janë të shëndetshme. P.sh kërkesa e Listës Srpska për të pezulluar aktet e Kuvendit u pranuan nga Gjykata Kushtetues e Kosovës, kështu që subjekti në fjalë ka një tagër kushtetues të siguruar. Dhe me aktin në fjalë veproi në interesin e vet por edhe të Kosovës.

Si do të mund të akuzohet në këtë dritë zhvillimesh, qeveria Kurti se ka sabotuar marrëdhëniet me SHBA? Çfarë duhet të bëjë qeveria e Prishtinës, të heqë dorë nga kontrolli i veriut, për t’Ia lënë Listës Srpska, statusi i së cilës do të duhej të shqyrtohej menjëherë pas Banjskës?

Cili është marzhi i politikës së opozitës në këtë kontekst: bëni çfarë thotë SHBA se ndryshe humbëm?

Sigurisht që situata është delikate, por askush nuk kupton më se cilat interesa mbron Beogradi, pasi aktualisht politika e tij çoi serbët jashtë përfaqësimit. Me metrin e opozitës së Kosovës ne mund të hamendësojmë se një kartë për realizimin e status quosë së vjetër është Hashim Thaçi, që po mbrohet nga amerikanët në proces, ndërkohë që asnjë garanci e qenësishme nuk ekziston për asgjë. Që të mund të sigurojë korridorin e veprimit të secilit.

I njëjti zyrtar amerikan flet për mbështetjen nga SHBA të dialogut të lehtësuar nga BE mes Serbisë dhe Kosovës. Por kush dëgjon Doland Trump e ka të qartë se siguri të tilla janë fjalë në erë. Jemi në kushtet kur as SHBA nuk e di çfarë mbron në Kosovë, pse është, çfarë synon. Pasi është politika që vjen nga qendra e saj që sugjeron një paqartësi të tillë, që e bën çdo vendim në dukje “strategjik” një lëshim dhe veprim për taktikë në Pazar.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.