Pika e nxehtë e reformës administrative: Do të përfshihen në Tiranë Paskuqani, Farka, etj?

Sipas Shqipit të sotëm, një nga arsyet e rezistencës së opozitës për t’u ulur në një tryezë bisedimesh lidhur me reformën administrative ka të bëjë me riorganizimin e njësive të qeverisjes lokale në Tiranë. Demokratët duan që në Tiranë të përfshihen dhe disa komuna që tradicionalisht kanë votuar për ta, në mënyrë që të rrisin kështu numrin e votuesve në favor të tyre në kryeqytet, ku posti që diskutohet, ai i kryebashkiakut të Tiranës, ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Është fjala për komunat që kanë kufij të përbashkët me bashkinë e Tiranës . Tri nga katër “komunat e sherrit” (Paskuqan, Kashar, Frakë, Dajt) kanë votuar në vijimësi për PD-në. Shkrimi i plotë i Shqipit, i shkruar nga Herion Mesi, është më poshtë:
Duke e konsideruar ndarjen e re territoriale si një reformë të pastër elektorale, Partia Demokratike paralajmëron edhe bojkotin në zgjedhjet vendore të vitit 2015, nëse nuk dëgjohet zëri i opozitës në këtë proces. Këtë e bëri të qartë vetë kreu i PD-së Basha, gjatë bashkëbisedimit që zhvilloi dje me gazetarët. “Bëhet fjalë për një reformë që do të prekë thellë realitetin e qytetarëve shqiptarë, realitetin elektoral dhe decentralizimin. Ne nuk i ikim qëndrimit tonë. Kemi një mazhorancë që flet me gojën me arra, thotë një mijë gjëra, por konsensusin s’e përmend. Konsensusi nuk është formulë e panjohur, nuk mund të zëvendësohet me asnjë pseudoformulë”, tha Basha.
Komunat demokrate
Burime të mirinformuara bëjnë të ditur se çështja kryesore në reformën territoriale që i shqetëson palët është fakti nëse disa komuna përreth Tiranës do të bashkohen me kryeqytetin apo jo. Bëhet fjalë për komunat Paskuqan, Kashar, Farkë dhe Dajt. Tri nga katër komunat përreth Tiranës kanë demonstruar në të shkuarën mbështetje të gjerë për demokratët dhe përfshirja e tyre në bashkinë e madhe mund të rrisë shanset e Partisë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme për pushtetin vendor, të cilat do të zhvillohen në vitin 2015. Këto zgjedhje duket se janë veçanërisht të rëndësishme për demokratët, të cilët e kanë Tiranën testin e parë për ringritje, si dhe test për kryetarin e tyre Lulzim Basha. Por mes qarqeve të socialistëve përflitet se së paku zona e Farkës synohet të bashkohet me një zonë të gjerë administrative të re me qendër në Petrelë, që duhet të përfshijë të gjithë rajonin mes Tiranës dhe Elbasanit.
Dhe kjo kërkesë e tyre ka të bëjë pikërisht me një përllogaritje të pastër elektorale, pasi me përjashtim të Bashkisë së Kavajës, të gjitha njësitë e mësipërme vendore (4 bashki dhe 24 komuna) të Qarkut të Tiranës drejtohen nga kandidatë fitues të PD-së në garën vendore të 8 majit 2011. Në këtë mënyrë, me ndarjen e re territoriale, duket se demokratët synojnë pikërisht shtimin e numrit të votuesve të tyre, të cilët votojnë për kryetar komune dhe shkrirja e këtyre komunave si njësi të bashkisë së madhe sjell rrjedhimisht shtimin e votave të djathta për Partinë Demokratike.
Sa i përket Tiranës, pjesa e popullsisë autoktone mbetet minorancë, ndërkohë që banorët e ardhur nga qytetet e rrethet veriore zënë pjesën kryesore në disa minibashki si dhe sidomos në bashkinë e dytë më të madhe Kamzë, në komunat më të mëdha të zonës, përfshirë Paskuqanin etj. Pikërisht, ky kontingjent votuesish është përdorur në çdo fushatë elektorale me premtime që lidhen me problemet jetike të një qytetari: pronësia mbi tokën, mbi banesën dhe fundi i paragjykimeve. Për shkak se pjesëmarrja në votime është më e lartë në këto zona, sesa në pjesën e zhvilluar tregtare të qytetit, palët politike janë përqendruar pikërisht në tërheqjen e elektoratit të këtyre zonave. Ndaj periferia e qarkut vijon të shihet nga demokratët si përcaktuese, në garën e 2015-s. Por një tjetër faktor që ka të bëjë me këtë “rishikim” të periferisë së Tiranës, ka të bëjë edhe me përfshirjen e biznesit që ndodhet masivisht në zonën e Kasharit, por tashmë edhe në zonën e Farkës, në garën elektorale. Janë pothuajse 10 biznese të mëdha, mjaft të njohura, që hynë direkt në zgjedhjet e 23 qershorit, ku partitë politike u përfaqësuan me kandidatë-presidentët e këtyre firmave, apo familjarët e tyre, të cilët palët i konsiderojnë si suporte të forta financiare me lidhje të forta mediatike dhe politike. Ky është një zhvillim tjetër që ndryshon nga tradita dhe shpreh tendencën që biznesi nuk kërkon më avokatë në Parlament, por tenton të bëhet vetë protagonist politik dhe financiar. Gjithashtu, një tjetër arsye që demokratët kërkojnë këtë bashkim të komunave është për shkak se krerët e këtyre komunave që janë përfaqësues të PD-së të kenë mundësi të përdorin të afërmit e tyre në shtimin e votave për kreun e Bashkisë, pasi, siç dihet, votimi në periferi të Tiranës është i karakterizuar me lidhje të mëdha komunitare sipas krahinave, lidhjet personale, takimet në shtëpi dhe lobingu financiar apo klientelist. Kjo është arsyeja që në pjesën e periferisë debati politik është më aktiv, pjesëmarrja në zgjedhje është më e madhe dhe palët politike dërgojnë më shumë ekipe politike sesa në zonat e superbanuara të qyteteve.
Marrë nga Shqipi
Add new comment