PD-ja “bën çështje” përfaqësimin e grave në Parlament. Debati "rrëshqet" në akuza mes Kodhelit dhe Berishës

Postuar në 23 Janar, 2014 04:53

Deputetët e PD-së janë përpjekur të ngrenë një çështje sot në hapje të seancës plenare. Sipas tyre, zëvendësimi i grave deputete, që japin dorëheqje nga mandati për arsye formale, po bëhet në fakt nën presion, madje shantazh. Deputetet Topalli, Doda dhe Bregu kanë përmendur rastin e deputetes nga Lezha, Merjeme Delishi, që ka lënë mandatin me arsyetimin se është e sëmurë. Në fakt Delishi mori mandatin pas dorëheqjes së Mimi Kodhelit, por u largua për t’i lënë vendin një tjetër femre, Mirela Neli, pasi në qarkun Lezhë PS-ja është penalizuar për mosrespektim të kuotës gjinore. Por debati në parlament ka marrë një tjetër drejtim kur fjalën e ka marrë ish-kryeministri Sali Berisha, që e ka cilësuar rokadën në Lezhë të iniciuar nga motive mafioze. Ministrja Kodheli ka ndërhyrë për të shpjeguar se zonja Delishi është e sëmurë, por përgjigja ka shkuar deri në përplasje me ish-kryeministrin. “Në CV-në time nuk ka për të patur vrasje dhe hajni”, ka mbyllur fjalën Kodheli. Një debat i papritur ky mund të thuhet e të cilin kreu i Kuvendit, Ilir Meta e ka mbyllur duke kërkuar që për çdo provë të shkohet në prokurori.

s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.