Pas përgjimeve të NSA-së hidhet ideja e një “Shengeni për internetin”

Ideja e Shengenit, po synohet që të vihet në ketë edhe për sa i përket internetit. Nismëtarë janë Gjermania dhe Franca. Deutsche Welle ka sqaruar se përse mund të shërbejë një gjë e tillë. “Ngritja e një rrjeti evropian të dhënash është hedhur për diskutim që para disa javësh nga Deutsche Telekom, një prej kompanive më të mëdha të telekomunikacionit në Evropë me seli në Bonn. Në jetën reale marrëveshja Shengen rregullon qarkullimin e lirë ndërkufitar dhe të mallrave brenda Evropës. Por në Shengen nuk bëjnë pjesë të gjitha vendet e BE-së dhe në këtë mënyrë një "Shengen routing" mund të shmangte në mënyrë elegante Britaninë e Madhe, shërbimi sekret i së cilës GCHQ ka rezultuar një nga pikat e zellshme të përgjimit brenda BE-së”, shkruan DW. Pra “Shengen routing” ka si arsye kryesore mbrojtjen dhe sigurinë dhe kjo sipas ekspertëve mund të arrihet duke krijuar një bazë të dhënash, jashtë kontrollit anglo-amerikan. Duket një sipërmarrje e shtrenjtë, por fakt është kalimi në këtë fazë do të shënonte një ndarje të vërtetë mes asaj që njihet si aleanca perëndimore. Do ta bënte atë të rithemeluar mbi terma pariteti, apo më mirë mbi proverbin “ruaju që të të ruajnë”. Çdo gjë është ende një ide me shumë të panjohura. "Mund të jetë e vërtetë që kështu u vështirësohet puna shërbimeve sekrete të huaja, të cilat nuk disponojnë potencialin teknik të shërbimeve të fshehta amerikane apo britanike. Por për NSA-në për shembull nuk është aspak problem të ngrejë stacione përgjimi në Gjermani apo diku tjetër në Evropë. Një "Shengen routing" është jo vetëm i padobishëm, por edhe i shtrenjtë, pasi për momentin router-at e internetit kërkojnë jo vetëm rrugën më të shpejtë por edhe më të lirë për paketat e të dhënave, që dërgojnë përreth globit. Nëse tani do të detyrohen të mbeten brenda Evropës navigimi në internet mund të bëhej shumë i shtrenjtë për përdoruesit”, citon DW, Dominique Petersen nga Instituti për sigurinë në Internet. Se çfarë do të bëhet kjo ende mbetet e paqartë, por kërkimi i rrugëve të reja, larg mbikëqyrjes amerikane dhe britanike ka nisur të ravijëzohet si proces.
Më shumë në: http://www.dw.de/kufij-shengen-për-internetin/a-17443921
s.z
Add new comment