Panorama e Dita, më të lexuarat print, Tema Online, më e klikuara (por të gjitha bashkë nuk shiten as sa një gazetë e vetme 5 vite më parë)

Postuar në 22 Prill, 2013 08:00

Ka një terr të plotë mbi nivelin e shitjes së shtypit të përditshëm në Tiranë. Gazetat i ruajnë me fanatizëm këto shifra (po ti pyesësh drejtpërdrejt japin shifra të ekzagjeruara) por edhe angazhimi i organizatave të ndryshme me fokus median, ka qenë minimal nëse vjen në pyetje niveli i shitjeve. Mund të merren vesh tirazhet në shtypshkronjat e printit shqiptar, por  sa përqind e këtij tirazhi shitet? Ditët e fundit qarkullon në forumet online një material me autor Migena Aleksi që njihet në publik si aktiviste e te drejtave te njeriut, ku shkruhet: “Për një botim studimor qe del se shpejti ne treg me titullin Shtypi dhe Tranzicioni ne Shqiperi më është dashur të bëjë një survejim një mujor mbi nivelin e shitjes së gazetave në tregun e shtypit në Tiranë dhe më duhet të pranoj që shifrat kanë qenë befasuese për mua.  Në maksimumin e shitjeve  të gjitha gazetat në kryeqytet shesin jo më shumë se 12 deri në 14 mijë kopje në ditë. Sipas shitësve të intervistuar rreth 5 vjet më parë kjo shifër ishte normale vetëm për një gazetë, kurse para 10 vjetësh dyfishi ishte normal për një gazetë të vetme”.

Autorja thotë se disa nga të intervistuarit i pohuan në konfidencë se tirazhet mbahen detyrimisht të larta pavarësisht nivelit të shtypjes ose rënies së shitjeve sepse reklamuesit e mundshëm nëse duan të kuptojnë sa  shitet një gazetë pyesin për tirazhin. “Tirazhi nga shumë gazeta mbahet fiktivisht i lartë, ndërkohë që mund të shitet vetëm 50 përqind e tij dhe pjesa tjetër rishitet për riciklimin e letrës (mbetjet blihen me copë ose peshë nga depot dhe magazinat e redaksive) – shkruan Aleksi. Ajo ka bërë edhe vetë një anketim në kioskat dhe tezgat e kryeqytetit (gabimet mund të jenë me 100 ose 200 kopje jo më shumë, sepse tregu ka luhatje të forta sidomos kur kanë qenë ditë shiu, dhe shumica e tezgave nuk dalin për shitje – thotë).

Më pas jep disa shifra sipas të cilave gazeta më e shitur rezulton gazeta Panorama me rreth 4 mijë kopje të shitura në ditë në Tiranë, pas saj renditet gazeta Dita me rreth 3 mijë kopje, e më pas gazeta Shekulli me dicka mbi 1 mijë kopje të shitura në kryeqytet. Të gjitha të përditshmet e tjera nuk i afrohen as shifrës 1 mijë sipas autores në fjalë, madje ka prej tyre që janë në nivele 200 apo 300 kopje e jo më shumë. Autorja thotë se “shtypi është në rënie të plotë” dhe se “shitja në rrethet e vendit  është e ndarë në të paktën 7 segmentime që prodhojnë si rregull shitje afërsisht sa Tirana plus një përqindje mbi shifrën e Tiranës që nuk e kalon në asnjë rast nivelin 20-30 përqind”.

Megjithatë ajo shton se “numri i kopjeve të shitura nuk përfaqëson domosdoshmërisht nivelin e lexueshmërisë, sepse një kopje e shitur lexohet nga minimalisht 5 deri në 10 vetë sepse futet në ambjente familjare ose shoqërore”. Një tjetër pikë e prekur në studimin në fjalë, është për lexueshmërinë online: “Vihen re edhe fenomene ekstreme si psh rasti i gazetës Tema, e cila megjithëse nuk shet më shumë se 200 kopje print në tezga e kioska, është më e lexuara online” – thotë autorja. a.n.

Comments

Submitted by Bard (not verified) on

<p>Beni nje llogari te thjeshte: Nje gazete qe shet 1000 kopje, gjeneron gjithsej 1000*20=20 000 leke te reja. Keta njezet mije leke duhet te dalin mjaftueshem per te mbuluar koston e letres, shtypjes, shperndarjes, perqindjen e kjoskave, per te paguar kolumnistet dhe gazetaret e drejtoret e redaktoret. Me nje llogari te thjeshte i bie qe 50-100 vete qe mund te angazhohen per daljen e nje gazete ne treg te ndajne afersisht nga 200-400 leke per koke. I bie nga 1 deri ne 2 dy paketa Slims ne dite...hahahahaha.e Ky eshte shtypi militant e medioker ne ngordhje e siper. Le te korrin çka kane mbjelle tani pronaret e tyre qe i kane perdorur si çomange mediatike dhe forume ku fjala e lire eshte perdhunuar sistematikisht, duke e bere debatin publik nje nevojtore pa porta ku secili hyn te pshurre sipas qejfit. Hajt suksese e keshtu ju pafsha pergjithmone!</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.