Përgjimi gjerman dhe e drejta e informimit

Disa ditë më parë u përballëm me lajmin që Gjermania na përgjon. Në vetvete ky lajm nuk ngjall shqetësime të veçanta tek shqiptarët dhe reagimet në media ishin shumë të vakëta. Ndoshta kjo ndodh edhe për faktin se privatësia ka kohë që nuk respektohet në Shqipëri si dhe ndoshta për bindjen që në çdo rast, të gjithë përgjohemi.
Ky qëndrim i yni duhet kritikuar fort, sidomos në një periudhë kur e tërë bota është aktive në mbrojtjen e privatësisë së qytetarëve që nga momenti i zbulimeve të para të Edward Snowden. Ka shumë pyetje që mund të ngrihen kur trajtohet kjo temë.
Kush na përgjon dhe a është ky përgjim i ligjshëm? Si përpunohen dhe ku ruhen të dhënat tona private? Cilat janë organizmat shqiptare që marrin pjesë në përgjim? A kanë akses privatët tek këto të dhëna?
Në fushatën e zgjedhjeve të 2013-ës, Edi Rama premtoi akses në informacion, diçka të ngjashme me “Freedom Information Act” të SHBA-së. Ky premtim vinte në një periudhë të zymtë të qeverisjes “Berisha”, por është harruar shumë shpejt. Në dhjetor 2012, qeveria “Berisha” kaloi një ligj në Parlament, për disa ndryshime në mënyrën e realizimit të përgjimeve. PS-ja pati reagime të forta në ato ditë, por që kur është në pushtet kjo temë nuk është prekur më.
Është akoma më interesant reagimi i vetë Ramës kur pyetet mbi përgjimet gjermane. Ai shprehet se është i qetë dhe se asgjë nuk na gjen nga përgjimi gjerman. Ndërkohë Merkel shprehet se fraza e saj "miqtë nuk përgjohen”, e deklaruar në momentin kur u bë publik fakti se NSA-ja amerikane përgjonte edhe vetë Merkelin, i referohej amerikanëve dhe se nuk duhet ngatërruar konteksti. Shumë interesant ky pohim. Pra duhet të kuptojmë kështu se ne jemi një vend i pavlerë dhe se s'mund të kërkojmë asgjë.
Në deklaratën e tij, Rama, që është kryeministër i Shqipërisë, justifikon përgjimet edhe me luftën ndaj terrorizmit. Një pyetje lind: Po ne, qytetarët e këtij vendi të pavlerë (sipas Merkelit), a kemi të drejtë të dimë ndonjë gjë në lidhje me terrorizmin? Gjithmonë nëse ka diçka për të ditur???
"Përgjimi midis miqve" është një temë shumë e nxehtë gjatë 12 muajve të fundit. Qëkurse u zbulua që NSA-ja përgjonte pa diskriminim liderët e shteteve miq, ka patur disa nisma për të mbrojtur privatësinë.
Reagimi më i fortë ka ardhur nga presidenti rus, Vladimir Putin, i cili kaloi një ligj që detyron të tëra shoqëritë që trajtojnë të dhëna private, në veçanti ne Internet (Google, Facebook, etj...) të mbajnë serverat e të dhënave private brenda kufirit rus! Kjo ka kosto të lartë, por edhe risqe të fshehura për këto shoqëri. Por Rusia nuk është Shqipëria...Por as Brazili nuk është Shqipëri. Presidentja Rousseff, ishte e para që e nisi këtë debat. Ajo hodhi idenë e serverave me të dhëna brenda kufirit të shtetit të saj. Në konferencën për internetin që u mbajt në Brazil ajo ishte shumë aktive për të mbrojtur interesat e qytetarëve brazilianë, si dhe interesat ekonomike të shoqërive braziliane.
Por dhe vetë Merkel ka reaguar për këto tema. Në fund të qershorit 2014, Gjermania mori vendimin që nuk do të rinovojë kontraten me “Verizon” (operator amerikan për telekomunikacionet), i cili shërbente për ministritë gjermane. Kjo sepse, nga të dhënat e bëra publike nga Snowden, ka dalë që operatorët amerikanë kanë qenë "të gatshëm" për të bashkëpunuar me NSA-në. Dhe në fakt jemi të sigurtë që edhe operatorët shqiptarë (që në fakt tre më të mëdhenjtë janë greko/gjerman, greko/anglez dhe turk!!!) janë më se të gatshëm për të bashkëpunuar me shtetin tonë. Çka rezulton dhe nga një pohim i vetë “Vodafone UK” mbi përgjimet e realizuara në Shqipëri.
Për të gjitha këto arsye, jemi të mendimit se ka ardhur momenti që qeveria “Rama” të trajtojë më me kujdes këto çështje delikate dhe bashkëkohore.
P.S: Akoma më interesant ishte reagimi i Fatos Klosit (ish-kreu i shërbimeve sekrete ;) ). Ai thotë se nuk kemi pse të shqetësohemi nga përgjimi gjerman, se ata na duan të mirën. Për aq kohë që siguria kombëtare nuk cenohet askush, nuk duhet të ankohet. Së pari, ku e dimë ne që siguria kombëtare nuk cenohet? Vallë po të ketë qenë cenuar, këta që na qeverisin, përfshirë dhe zotin Klosi, a do të kishin kurajën të shpreheshin hapur në publik?
Së dyti: Po e drejta e privatësisë ku vajti?

Add new comment