Oketa e mohon: Nuk jam unë kreu i ri i SHISH. Topi gjithsesi nuk i kursen kritikat ndaj shërbimit

Ka ditë që qarkullon thashethemi se sekretari i përgjithshëm i FRD-së, Gazmend Oketa, do të jetë shefi i ri i shërbimeve sekrete, sipas një marrëveshjeje PS-FRD pas takimit Rama-Topi. Por vetë Oketa e përgënjeshtroi këtë gjë në Ora Neës, duke thënë se këto janë spekullime mediatike, që për t’u bërë të besueshme “paketohen” edhe me detaje të rreme, si psh, lajmi se Oketa paska qenë për trajnim në sektorin e sigurisë, në Uashington a gjetiu.
Në fakt, thashethemi ka vërtet dis ditë që vjen vërdallë. Por e sigurtë është se kreu i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, edhe njëherë dje në emisionin e Babaramos në A1 Report kritikoi performancën e SHISH. Topi tha se SHISH nuk ka kryen detyrën e vet për dhënien e informacioneve të nevojshme për garantimin e sigurisë në vend. Mungesa e funksionimit të këtij institucioni në mënyrën e duhur, ndikon edhe në mjedisin e krijuar në Parlament, pasi sipas tij “informacionet më parë shkojnë të Berisha, sesa tek deputetët e parlamentit apo mazhorancës”.
“Duhet parë që terrorizmi shfaqet në forma të ndryshme, ashtu si ka nisur të shfaqet në episodet që janë bërë dramatike. Besoj se ky institucion duhet të shkojë në një lloj standardi që kanë institucionet paralele me këtë institucion, që i vendos politika, por qëndrojnë veçmas politikës. Jo siç ka ndodhur që ka pasur institucione nën vëzhgimin e Sali Berishës. Ky institucion duhet t'i garantojë përfaqësuesve të shoqërisë në Parlament transparencë për mirëfunksionimin e këtij lloj institucioni. Informacionet më parë shkojnë të Berisha, sesa tek deputetët e parlamentit. Nuk kam asnjë lloj fakti që të them duhet ta shkarkojë, por është detyrë e Parlamentit e komisionit specifik të hetojë punën e këtij institucioni. Kjo mazhorancë duhet të shprehet për gjerat që duhet të ndodhin dhe t’i konfirmojë për të mos u krijuar kaos”, tha Topi. Kryetari i FRD-së, theksoi se ish-mazhoranca ka futur kthetrat në të gjitha institucionet e pavarura. Si rast konkret ai iu referua ish-kryeprokurores Ina Rama e cila nuk fitoi të drejtën për të qenë gjyqtare, dhe sipas Topit, kjo ndodhi pasi Ina Rama tregoi integritet në punën e saj.
a.k
Add new comment