Napolitano në Tiranë: “Vendi i Shqipërisë është në Europë. Nuk do të harrojmë që asistuat ushtarët italianë, pavarësisht se kishin ardhur si pushtues”

Italia konfirmohet ndoshta si partneri më i rëndësishëm i Shqipërisë, pas marrëdhënieve që kjo e fundit ka me SHBA-në. Më shumë sesa fjalët e politikanëve shqiptarë, këtë e vërtetojnë veprimet dhe zhvillimet e fundit diplomatike, që kulmojnë me vizitën e sotme të Presidentit të Italisë në Tiranë, Giorgio Napolitano. Së pari është ndër vizitat e rralla të një presidenti italian në Shqipëri, pa harruar faktin se Napolitano është një figurë me profil të lartë ndërkombëtar, kjo edhe për shkak të aftësive të dëshmuara në menaxhimin e krizave të njëpasnjëshme qeveritare në Itali. Është si të thuash çelësi i stabilitetit të Italisë në këto vitet e fundit. Nga ana tjetër, pritja që iu rezervua flet për një ngritje të nivelit të marrëdhënieve edhe në planin politik mes dy vendeve. Kështu në pritjen në Pallatin e Brigadave, atij i është dhënë nga homologu shqiptar Bujar Nishani “Dekorata e Flamurit Kombëtar” me motivacionin domethënës: “Për rolin e jashtëzakonshëm, si politikan me karrierë të gjatë e të pasur, me kontribut dhe ndikim të madh në politikën italiane, në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, në mbështetjen që ajo i ka dhënë vendit e popullit tonë gjatë periudhës kalimtare, për realizimin e reformave demokratike, si avokate e integrimit euroatlantik, si dhe për pritjen bujare e trajtimin dinjitoz të emigrantëve shqiptarë”. Vetë Napolitano ka deklaruar se: “Do të jemi avokatë të Shqipërisë për Integrimin në Europë”. Ndaj edhe kjo duket se ka qenë diçka e planifikuar mirë, pasi edhe Napolitano ka dekoruar presidentin shqiptar Bujar Nishani me “Urdhrin e Meritës së Republikës së Italisë, Kalorësit të Kryqit të Madh”, thuajse me të njëtin motivacion. Ai ka zhvilluar një takim edhe me kryeministrin Edi Rama në kryeministri, ku është folur për thellimin e bashkëpunimit dypalësh. Finalja e vizitës ka qenë në Parlamentin e Shqipërisë, ku presidenti italian ka mbajtur një fjalë me mesazhe domethënëse. “Vendi i Shqipërisë është në Europë”, ka thënë ndër të tjera ai. Është një pohim që rikonfirmon angazhimin e Romës për të mos lejuar që perspektiva europiane të humbasë nga sytë e “Bregut lindor”. Kjo pasi Shqipëria Europiane është në interesin e saj, përderisa sot flitet më shumë për botën shqiptare në rajon, e ndodhur nën ndikime të shumëllojshme dhe ende në formësim e sipër të identitetit të vet politik modern dhe në kërkim të gjetjes së ekuilibrit të ri pas zhvillimeve të forta në Ballkan. Jo pa rëndësi ka qenë edhe theksimi prej presidentit Napolitano i akteve fisnike të shqiptarëve në histori, madje duke përmendur për herë të parë ndoshta, në cilësinë e një zyrtari italian, rolin e popullit shqiptar në ndihmën dhënë ushtarëve italianë gjatë Luftës së Dytë Botërore. “Vlerat ju kanë bërë që gjatë Luftës së Dytë t’i jepni strehë hebrenjve si dhe të asistoni ushtarët italianë, pavarësisht se kishin mbërritur këtu si agresorë e pushtues. Nuk do harrojmë kurrë mbështetjen tuaj”, ka thënë ai. Është një qasje ndaj së vërtetës, që prevalon në forcën e mesazhit, ndaj stereotipave mediatike për shqiptarët dhe emfatizon rolin human në marrëdhëniet mes shteteve. Për këto arsye, vizita e tij, padyshim që mund të quhet historike për raportet mes të dyja vendeve.
s.z
Add new comment