Në pritje të Bashës…

Postuar në 23 Mars, 2014 10:36

Një ditë pasi Kryeministri publikoi letrën e tij për kreun e opozitës, ku e fton të bëjnë së bashku reformën administrativo-territoriale, nga Partia Demokratike nuk ka ende një reagim zyrtar. Edi Ramës do t'i duhet të presë deri të hënën, ditë në të cilën do të marrë një letër nga kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha. Në parim, komunikimi me letra publike tregon se asgjë konkrete nuk do të ndodhë dhe situata politike në vend do të vazhdojë të jetë e tensionuar. Prej pak javësh Partia Demokratike po mban një marrëdhënie të kushtëzuar me parlamentin për shkak të shkarkimit të Inspektores së Përgjithshme të ILDKP-së, shkarkim.

Mosprekja nga qeveria e insitucioneve të pavarura është një nga kushtet që opozita ka vendosur për të marrë pjesë në Komisionin Parlamentar për Reformën Administrative, ndërsa kushti tjetër është tërheqja e ndryshimeve për ligjin e nëpunësit civil dhe zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese duke rikthyer në punë të larguarit nga administrata publike. Me sa duket pjesë e konfliktit politik së fundmi është bërë edhe çështja e bulevardit të ri të Tiranës. Ndërtimi i tij konsiderohet vepra kryesore e Lulzim Bashës si Kryetar Bashkie, por ai është bllokuar nga Inspektoriati i Ndërtimit dhe konflikti mes Bashkisë dhe Qeverisë është në zhvillim. Nga të gjitha këto rrethana, që opozita i konsideron si qeverisje jashtë standardeve demokratike të qeverisjes, besohet se edhe letra e zotit Basha nuk do të ketë një përmbajtje surprizë, çka do të thotë se nuk do të ketë asnjë takim as sy më sy dhe as ballë për ballë mes drejtuesve kryesorë të politikës shqiptare. /Top Channel/

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.