Në pranga Vladimir Gjuta, akuzohet si tritolvënësi në farmacinë e familjes Tahiri (video)

Në hyrje të tunelit të Kalimashit është arrestuar personi më i kërkuar në vend. Vladimir Gjuta, i akuzuar për organizimin e vendosjes së tritolit në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm dhe i dyshuar po si autor i kërcënimit të drejtpërdrejtë ndaj ministrit, arrestohet në hyrje të qytetit të Kukësit. Operacioni për kapjen e 35-vjeçarit u krye dje në mesditë dhe sipas burimeve të policisë, në aksion morën pjesë efektivë të forcave speciale RENEA dhe disa të tjerë nga Grupi i Operacioneve Speciale. Ai u ndalua në një automjet ngjyrë gri, me targa Kosovare. Sipas policisë, Gjuta ishte duke udhëtuar me automjetin tip opel me targë “Rks 04 540 EP”. Automjeti drejtohej nga Blerim Thaçi 32 vjeç nga qyteti i Prizrenit. Ai shoqërohej edhe nga një makinë me targa “AA 169 JG” që drejtohej nga Indrit Ademi 26 vjeç nga Kukësi. Gjuta mbante paruke në kokë në momentin e ndalimit, si një mënyrë për të mos u njohur, por gjithë “kamuflazhi” i ka vajtur kot, pasi tashmë është i prangosur. Gjatë kontrollit iu gjeten një sasi lekësh dhe eurosh si dhe 6 telefonë celularë.
Add new comment