Në një debat radiofonik në Zvicër kosovarët cilësohen ‘hajdutë’; Reagon ambasada e Kosovës atje

Me sa duket, nuk po fryjnë erëra të mbara për emigrantët në Zvicër; sidomos për emigrantët që janë ekstrakomunitarë; e sidomos akoma për shqiptarët, të cilët vijojnë të kenë probleme imazhi. Të nesërmen e votimit referendar lidhur me caktimin e kuotave të emigrantëve që do të lejohen të vënë këmbë në Zvicër, në radion ‘Radio Suisse Romande’, në programin e mëngjesit të kësaj radioje, gjatë një debati, njëri nga të ftuarit, ka bërë një fyerje në adresë të kosovarëve në Zvicër. Ka qenë duke folur për këta të fundit, dhe i ka quajtur "hajdutë kosovarë".
Ka reaguar menjëherë Ambasada e Republikës së Kosovës në Bernë, duke iu drejtuar radios në fjalë dhe Komisionit Federal kundër Racizmit: "Duke iu referuar programit tuaj me titull ‘Në linjë të drejtpërdrejtë’ të transmetuar më 10 shkurt 2014, në valët e Radios suaj, me temë ‘A duhet të ketë Zvicra frikë për t’u rritur’, më lejoni t’ju tërheq vëmendjen time lidhur me cilësim-vlerësimin si dhe shprehjen e papranueshme ndaj komunitetit tim që unë e përfaqësoj në Zvicër. Në debatin tuaj në studio, i cili u zhvillua pas rezultateve fituese përmes votimit, të nismës së UDC/SVP, më 9 shkurt 2014, njëri ndër të pranishmit duke u përfshirë në debat në radion tuaj, bëri emërtime fyese, dhe stigmatizoi komunitetin tim, duke i quajtur shprehimisht: ‘hajdutë kosovarë’!”
Dhe në fund: “Kjo është shumë paragjykuese dhe fyese për komunitetin tim, dhe, unë dua të denoncoj publikisht".
Re.Pu.
Add new comment