Moore: Lazarati është shqetësim ndërkombëtar

Postuar në 01 Shkurt, 2014 12:57

Kreu i Zyrës për Evropën Juglindore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore, në një diskutim për Ballkanin në Uashington, ka përmendur si shqetësim për shqiptarët dhe komunitetin ndërkombëtar, Lazaratin, duke thënë se shteti duhet të vërë të gjithë territorin nën kontroll. Moore tha se, shteti ligjor do kohë të ndërtohet, por se duhen ndërmarrë hapat fillestarë. “Të luftosh korrupsionin nuk do të thotë që, ata që kanë pushtetin sot të ankohen për ata që kishin pushtetin më parë. Të luftosh korrupsionin dhe të konsolidosh shtetin ligjor bëhet përmes ngritjes së akuzave nga prokurorët, nëse ka nevojë për ngritje akuzash. Nuk duhet të bëhet fjalë thjesht për fajësim të paraardhësve”, tha ai. Moore tha se, ishte shumë e rëndësishme që rotacioni politik në Shqipëri u bë në një mënyrë të rregullt dhe tha se qeveria aktuale, ashtu si edhe ajo e kaluara janë të angazhuara drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, raporton VOA.“Ka shumë arsye për një gjë të tillë dhe shumë opinione të ndryshme se pse ndodhi, kush votoi në favor dhe kush kundër në BE, por thelbi është se qeveria që sapo kishte ardhur në pushtet, nuk kishte kohë të bënte shumë nga mesi i shtatorit e deri kur Këshilli Evropian mori vendimin”. Ai theksoi se gjithsesi vendimi do të merret nga Bashkimi Evropian, por Shtetet e Bashkuara e mbështesin atë plotësisht. “Ne jemi dakord me Parlamentin Evropian dhe struktura të tjera se Shqipëria e ka merituar statusin e kandidatit por ne nuk kemi të drejtën ta marrim këtë vendim”.   S.S

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.