Masakër në Pejë, dy të vrarë dhe shtatë të plagosur

Dy persona kanë vdekur sot në Komunën e Pejës nga të shtënat me armë zjarri. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë për "Radion Evropa e Lirë" se incidenti ka ndodhur në rrugën Pejë-Deçan.
Sipas tij, bëhet fjalë për 7 persona të plagosur. Kelani thotë se policia po bën hetime intensive, ndërsa nuk ka mundur të konfirmojë motivin e të shtënave.
“Koha Jonë” raporton se njëri nga të vrarët është Valdet Kelmendi i njohur në Pejë me pseudonimin “Lara”, rreth 28-vjeç. Personi tjetër i vrarë është një kalimtar i rastit mbi 70-vjeç. Të plagosurit, nga të cilët dy në gjendje të rëndë, po ashtu janë kalimtarë të rastit. Ata u vranë nga disa persona që shtinin nga një veturë në lëvizje.
Gazeta “Express”, raporton se vrasja ka motive hakmarrjeje. Vetura me të cilën dyshohet se është kryer vrasja, është gjetur e djegur në nja fshat larg qytetit të Pejës. Autori, apo autorët e vrasjes pasi janë larguar nga Peja i kanë vënë zjarrin dhe e kanë braktisur.
“Lara”, raporton “Zëri” ka qenë në shënjestër të sulmeve edhe hera të tjera, ndërsa jo shumë kohë më parë janë vrarë disa familjarë të tij, përfshirë edhe babain e tij, Shefqet Kelmendi i vrarë vitin e kaluar dhe xhaxhain e tij, i vrarë disa muaj më parë. Të gjitha vrasje e deritanishme të familjes Kelmendi nuk kanë autorë të dyshuar.
Add new comment