M. Nano i përgjigjet lexuesit ‘Anonim’

Lexuesi me emrin Anonim është kujtuar me shumë vonesë të na bëjë një vërejtje mbi ndotjen që ne i bëjmë lajmit me qëndrime e interpretime tonat. Ja ç’thotë ai në fund të ‘lajmit’ me titull “Zbrazet Frederik Ndoci; në fund bën një rrëshqitje”: “Dhe ju këtë dreq shkrimi e quani lajm? Dhe e fusni në kategorinë lajm?”
I dashur Anonim! Ka kohë që ne e bëjmë këtë. Kemi nisur ta bëjmë qysh në krye të herës. Kjo do të thotë se nuk është një gjë që na ka shpëtuar; përkundrazi, është një gjë që e bëjmë qëllimisht, pasi nuk duam të ndalemi thjesht tek informacioni; duam ta interpretojmë minimalisht këtë informacion. Është një qasje e jona, e nuk është se jemi të parët apo të vetmit në botë që e bëjmë këtë. Është një lloj gazetarie dhe kjo e nakatosjes së lajmit me pak koment. E dimë, ka njerëz të mësuar me një gazetari klasike, ku lajmi ndahet qartësisht nga komenti, por kjo është thjesht njëra nga shkollat e gazetarisë. Pastaj, nëse nuk doni ta quani gazetari këtë që bëjmë ne, mos e quani! Nuk ka rëndësi se çfarë e quani. Nuk ‘prishemi’ për këtë.
I vetmi mëkat i yni është tek emri i rubrikës: Lajme. Por këtë e kemi bërë pa ndonjë hile, apo ngasje për të provokuar: Në thelb të të gjitha shkrimeve të kësaj kategorie qëndron një lajm; qëndrimi vjen i dyti.
Add new comment