Lela analizon spotin elektoral të LSI-së: As nuk hahet, as nuk pihet. Meta po mundohet të blejë të ardhmen

“Një firmë kosi ka një spot tregtar refreni i të cilit, edhe pse në dukje banal, ngjit: kosi hahet apo pihet? pyet reklama”. Kështu e ka nisur shkrimin e tij analisti Alfred Lela, botuar në “Mapo”. Ai shton më pas se një reklamë tjetër, jo për kosin, por zgjedhjet, të cilat as nuk hahen e as nuk pihen, qarkullon sa në kohën televizive, sa në rrjete sociale e sa në bisedat e njerëzve. Bëhet fjalë për një spot elektoral të Lëvizjes Socialiste për Integrim, i cili bën thirrje për mbrojtje të votës. Publikimi i këtij spoti elektoral nga LSIka ngjallur jo pak debat. “Spotin ia paraqiti publikut vetë bosi i kësaj partie, njëkohësisht kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta”, shkruan Lela. Cili është kontekst? Sipas Lelës në qarqe të ndryshme politike e mediatike ka një bast të hedhur mbi atë nëse partia e z. Meta është forcuar apo dobësuar pas ‘aferës Tom Doshi’. “Fajësinë që ‘gëzon’ LSI në perceptimin publik, Meta kërkon ta kthejë në pafajësi, po me anë të votave të publikut... Duke nxjerrë spotin, LSI mundohet të blejë të ardhmen. Duke dalë vetë Meta për ta paraqitur, synon të thuhet se e shkuara nuk ekziston. LSI po punon, me metodat e veta, për rritjen e radhës në këto zgjedhje. Spoti është një përpjekje për të mbrojtur këtë rezultat të së ardhmes. Për të nxjerrë një ‘certifikatë virgjërie’ edhe pa u bërë ‘prova’ e natës së zgjedhjeve,” shkruan Lela në “Mapo”.
l.v
Add new comment