Legalizimi i “hashashit” në Shqipëri, nismë konkrete apo ide sporadike?

Postuar në 16 Mars, 2014 15:04

Shtohen zërat pro idesë për legalizimin e hashashit. Si nga aspekti ekonomik ashtu edhe nga ai i ekspertëve ligjorë një nismë e tillë do të sillte disa efekte pozitive. Sipas kryetarit të Shoqatës së Avokatëve penalist, Saimir Vishaj kjo nuk është një ide e kohëve të fundit. Vetë ekspertët ligjorë e kanë ngritur më parë këtë çështje deri edhe në komisionet parlamentare. Megjithatë nëse ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale do të ishin më të lehta, kontrolli ekonomik duket më i ndërlikuar. Sipas ekspertit Arjan Kadareja nuk mund të ketë prodhim masiv të hashashit, por vetëm një prodhim të kontrolluar përmes licencave. Kjo pasi kuotat e prodhimit varen nga sasia e shitjes dhe eksporteve me vendet e tjera, gjë që kërkon një liberalizim të tregtimit edhe nga këto vende.

Ekspertët e ekonomisë mendojnë se pavarësisht se efektet në buxhet mund të mos jenë aq të mëdha legalizimi mund të zgjidhë probleme të tjera social-ekonomike, siç është punësimi i familjeve që merren me këtë aktivitet. Ajo që mbetet për t’u parë është nëse bëhet fjalë për nisma konkrete apo ide sporadike. Në fakt pak kohë më parë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, e komentoi çështjen e Lazaratit, fshatin simbol të prodhimit të hashashit, si komplekse që nuk mund të zgjidhet vetëm me aksion policor. Tashme mbetet për t’u konfirmuar nëse kjo deklaratë ishte vetëm fillimi i një ideje të re për mënyrën e trajtimit të lëndëve narkotike në Shqipëri. Pak ditë më parë, Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë Marc Crawford deklaroi se Shqipëria duhet të legalizojë marijuanën në mënyrë që të përfitojë ekonomikisht, përderisa nuk po arrin të ndalojë prodhimin e saj. I vetmi zë kundër kësaj ideje deri më tani është ai i deputetit të PD-së Tritan Shehu.

 

http://vizionplus.al/koha-per-legalizim-hashashi/

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.