Kryeministrin e vë përpara entuziazmi: flet edhe “për një Këlcyrë të Re”

Fushata elektorale po përshkohet nga premtime që të bëjnë të mendosh se në Shqipërinë e pas 21 qershorit, lumuturia dhe mirëqenia do t’i zënë derën çdo shqiptari. Për marrëveshje duhet të biem dakord se ndërtimi i shesheve, apo rehabilitimi i ndonjë rruge, mund të ketë njëfarë kuptimi për qytete të mëdha, për të cilat ndoshta duhet të ketë një objektiv si rilindja urbane. Dhe edhe në këtë rast nuk është se këto premtime duhet t’i bëjë kudo dhe kurdoherë kryeministri. Mirëpo fushata e tanishme po provon të kundërtën; kryeministri në vetë të parë po premton në qytete e qyteza thuajse çdo gjë. Një shembull është shfaqja elektorale në Këlcyrë. “Ne kemi nisur një projekt së bashku këtu. Ky projekt nuk duhet të ndërpritet. Prej vitesh Këlcyra është e braktisur. Pas fitores se 2013 kemi nisur projektin e ri të Këlcyrës së re. Për pak ditë do të nisë rehabilitimi i rrugës nga Lekli deri në Permet, financim i plotë i qeverisë shqiptare. Rruga do të lidhë Përmetin e Këlcyrën me pjesën tjetër të vendit. Do jetë një rrugë turistike. Projekti i ujësjellësit është me vlerë 1.5 mln usd. Do të rindërtojmë edhe sheshin qendror të Këlcyrës. Ujitja e cila ka qenë një problem madhor, është prioritet i qeverisë sonë”, tha kryeministri. Të flasësh për një Këlcyrë të re është shumë e guximshme po themi, pasi po të mbajmë parasysh se edhe Përmeti, apo edhe Tepelena që janë qendra më të mëdha dhe afër me Këlcyrën, janë goditur rëndë nga migrimi dhe emigracioni. Çfarë do të thotë Këlcyrë e re? Për atë që ka qenë në Këlcyrë e ka të vështirë të imagjinojë rilindje të Këlcyrës, që funksionon si një kryqëzim rrugësh, e dikur ka qenë një qendër pazari. Kryeministri flet për rrugën Lekël-Këlcyrë, e cila do të jetë turistike. Në fakt kjo rrugë ka qenë tërë jetën e saj, dhe jo për meritë të ndonjë qeverie, por për shkak të peizazhit, një rrugë panoramike. Si mund të kthehet në rrugë turistike? Meqë jemi te rrugët; në vitin e fundit të mandatit të qeverisë që iku, Fondi Shqiptar i Zhvillimit financoi rehabilitimin e rrugës Këlcyrë-Ballaban, pjesë e aksit Përmet –Berat, e ndërtuar nga italianët. Është një aks që kalon përmes lumit të Dëshnicës dhe lidh fshatrat e një prej zonave më të harruara në Shqipëri. Mirëpo a rilindi Dëshnica dhe Këlcyra? Aspak për aq sa dimë. Nëse kryeministri do të flasë për turizëm në atë zonë do të duhet që të marrë akte konkrete për të mos lejuar ndërtimin e mbi 10 HEC-ve që parashikohen në Vjosë, të flasë edhe për zonën e Frashërit, Hotovës, apo edhe Dangëllisë etj, në mënyrë që vërtet të besohet diçka. Por edhe të perceptojmë se ka politika të reja në këtë drejtim. Kjo lloj fushate, kur kryeministri asiston kandidatët duke folur edhe për rrugica apo ndriçim, nuk ka kuptim; mjafton të kujtojmë se p.sh kandidati i mazhorancës në Durrës flet për ulje taksash, kurse ai i Tiranës vetëm sot ka folur për hipotekat e pallateve. Pra disa kandidatë flasin për politika “makro” nëse mund të flasim kështu, kreu i qeverisë duket se bën shpjeguesin e projekteve. Ose policin rrugor të “Drejtimit të Duhur”. Nuk është ndonjë meritë e madhe të mbledhësh njerëz në një zonë si Këlcyra: ne jemi popull me pak festa dhe për këtë arsye mitingjet, apo takimet me ata që vijnë “nga Lart” konsiderohen si një lloj feste më vete. Apo ngjarje ku s'ka pse të mos dukesh për t’u ksehasur.
s.z
Comments
Duket sikur besojne se
Duket sikur besojne se shqiptaret ua besuan premtimet e Qershorit te dy vjeteve me pare, dhe rilindiotet po u ofrojne ...qershi te tjera, te zgjedhura prej te mbetura pa u lagur!
Ne Rroskovec, kandidatja mbase pe ti rene ne sy Rames, u shpreh: Ne do tua rilindim gjithcka, edhe problemet, do tua rilindim ju rroskovicareve, u shpreh rilindiotja!
Add new comment