Kritikat e Berishës për ish-ministrat, ndryshon skema e uljes së PD në Kuvend

Disa të përditshme e kanë interpretuar si një strategji të luftës politike ndryshimin e vendeve të disa deputetëve të PD-së. E kanë lidhur me nevojën për më shumë aktivizëm parlamentar, dhe në këtë kuptim kanë ecur me idenë se sa më afër foltores të jesh aq më i sigurtë është ky aktivizëm. Dhe kështu kanë larguar Eduard Selamat jo luftarakë e kanë sjellë Arben Ristanat agresivë.
Ja çfarë shkruan ‘Dita’ lidhur me këtë:
Ish-kryeministri Berisha ka kërkuar një javë më parë që deputetët e PD-së të jenë më aktivë në seancat parlamentare dhe të mos e lënë vetëm në replikat e shpeshta. Por mesa duket, kjo nuk i ka mjaftuar. Ai ka kërkuar edhe ndryshimin e vendeve të tyre në sallën e Kuvendit. Tashmë ish-ministrat do të ulen në radhën e parë dhe jo në rreshtin e tretë, ku rrinin më përpara. Në seancën e fundit në rreshtin e parë janë parë ish-ministrat Tafaj, Bumçi, Pollo dhe Imami. Në krah të tyre ka qenë edhe Arben Ristani dhe Jorida Tabaku.
Berisha “nxehet” me të tijtë: Reagoni se po ju shajnë
7 shkurt – Është vënë re nga të gjithë kohët e fundit super-angazhimi i deputetit Berisha në seancat parlamentare. Një ditë më parë, ai replikoi me të gjithë ministrat dhe deputetët e maxhorancës, duke kaluar disa herë limitin kohor që përcakton rregullorja e Kuvendit. Ky fakt bëri që kreu i Kuvendit, Meta, të merrte masa, duke i hequr mikrofonin në përfundim të minutazhit të përcaktuar për replikë. Mesa duket, Berisha nuk do ta gëzojë më statusin e veçantë që i është dhënë nga kryeparlamentari lidhur me kufijtë kohorë të diskutimit në foltoren e Kuvendit.
Në seancën e djeshme, replikat e shpeshta të Berishës e shkelën disa herë etikën parlamentare, sidomos gjatë debatit me deputetin socialist, Taulant Balla.
Gjatë pushimit disaminutësh të kërkuar nga PD, mësohet se Berisha është shprehur i pakënaqur me angazhimin e deputetëve të partisë së tij në debate. Ish-kryeministri ka qenë i pezmatuar lidhur me mungesën e reagimit dhe qëndrimin pasiv më së shumti nga ish-ministrat e tij gjatë diskutimeve. Ai ka kërkuar më shumë agresivitet nga të tijtë, një qëndrim të cilit i është bashkuar edhe Jozefina Topalli. “…Duhet të flisni edhe ju! Kur ata ju shajnë, duhet të reagoni edhe ju”, citohet Berisha sot në MAPO.
Add new comment