Krasniqi e Limaj themelojnë partinë e re, Matoshi e cilëson si betejë për “njeriun e dytë”

Ashtu sikurse ishte paralajmëruar, Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj, dy ish-eksponentë të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës kanë zyrtarizuar subjektin e tyre politik të emërtuar “Nisma Për Kosovën”. Ata kanë zgjedhur dy këshillat në ditën e saj të parë. Këshillin Kombëtar dhe Këshillin Drejtues. Kryetar i Këshillit Drejtues të Partisë u zgjodh Fatmir Limaj ndërsa Jakup Krasniqi u zgjodh kryetar i Këshillit Kombëtar.
Menjëherë pas zyrtarizimit të partisë së re, Hashim Thaçi, sot kryeministër e dikur bashkëpunëtor i hershëm i Limajt dhe Krasniqit, që prej luftës për çlirimin e Kosovës, tha se kjo forcë e re nuk do ta dëmtojë Partinë Demokratike. Megjithatë, disa media të Kosovës paralajmërojnë largime të reja nga partia dhe grupi parlamentar i PDK-së ndërsa nuk mungojnë as qëndrimet skeptike ndaj saj. Por cili është efekti i pritshëm i ndarjes politike të “bashkëluftëtarëve”? Gazeta “Express” e Kosovës ka intervistuar analistin Halil Matoshi, sipas të cilit largimi i dy figurave të PDK-së është rezultat i luftës së klaneve më shumë sesa një nisëm e re për ndryshimin e realitetit politik në Kosovë. Ai thotë se Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi themeluan partinë e re pasi në PDK e humbën betejën për vendin e dytë. Sipas tij, me ardhjen e ish kreut të shërbimit sekretar Kadri Veseli në pozitën e Zëvendëskryetarit , atyre s'iu mbeti më vend. "Lufta në PDK është zhvilluar për pozicionin e njeriut të dytë dhe duke qenë se në PDK vjen zoti Kadri Veseli si Nënkryetar, si njeri i dytë, për Limajn e Krasniqin aty nuk mbeti vend" thotë analisti i njohur.
Megjithatë, Matoshi parashikon se Limaj e Krasniqi përsëri mund të bëjnë koalicion me PDK-në. Ai nuk sheh asnjë problem që Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi përsëri të kthehen në PDK duke bërë koalicion pas zgjedhjeve të ardhshme nacionale. Matoshi parashikon se PDK do të dalë parti e dytë dhe do të shkojë në opozitë, ndërsa Limaj e Krasniqi shumë lehtë do të mund t'i bashkoheshin përsëri Hashim Thaçit.
"Unë parandiej se PDK do të shkoj në opozitë. Mbetet partia e dytë në vend, ndërkaq, nuk është jashtë mendësh që 'Nisma për Kosovën' e z. Limaj të bëjë koalicion me PDK-në edhe pse dikujt do t'i dukej absurde. Kjo Nismë është shumë më e afërt me ish-partinë amë se sa me ndonjë subjekt tjetër", ka thënë Matoshi, për “Express”.
Për më shumë https://www.gazetaexpress.com/lajme/halil-matoshi-nisma-mund-ti-marre-tre-deputete-1045/
k.k
Add new comment