Kosova e ngjashme me Krimenë? “Jo, me Sirinë”, thotë kongresmeni Eliot Engel

Qysh nga momenti që ka nisur kriza në Krime, nuk ka ditë që të mos dëgjohen zëra që e krahasojnë këtë krizë me atë të Kosovës para vitit 1999 (për t’i dhënë kështu të drejtë Rusisë që ka ndërhyrë), dhe për rrjedhojë dhe zëra të tjerë që mbrojnë tezën se mes rastit ‘Krimeja’ dhe rastit ‘Kosova’ nuk ka lidhje (për ta nxjerrë në një dritë të keqe ndërhyrjen ruse në Krime). Sot është dëgjuar që ta thotë këtë të fundit dhe Angela Merkel.
Por në një intervistë për Zërin e Amerikës ka dalë dhe kongresmeni Eliot Engel, që i ka mëshuar së njëjtës ide.
"Në Kosovë ishte e qartë se bëhej fjalë për një histori të tmerrshme shtypjeje serbe kundër një shumice shqiptare. Atje pati një përpjekje nga diktatori serb i asaj kohe, Sllobodan Millosheviç për të spastruar etnikisht Kosovën nga të gjithë qytetarët e saj shqiptarë, që përbënin nëntëdhjetë e pesë për qind të popullatës. Ne nuk deshëm të lejonim spastrimin etnik ose genocidin, prandaj NATO, nën drejtimin e presidentit Clinton, ndërmori një fushatë bombardimesh për t’i nxjerrë serbët nga Kosova. Kjo fushatë përfundoi me sukses dhe ne shpëtuam jetë të panumërta njerëzish", tha ai.
Engel e gjen një ngjashmëri me Kosovën në botën e sotme, megjithatë. "Unë do ta krahasoja Kosovën me Sirinë. Atje kemi një popullatë civile të rrezikuar dhe është e tmerrshme që komuniteti ndërkombëtar në një farë mënyre po i kthen shpinën Sirisë", nënvizoi kongresmeni.
Re.Pu.
Add new comment