Kallëzimi i dytë për ish-ministrin e Mbrojtjes Arben Imami. Akuza: Shitje tritoli dhe skrapi në shkelje të ligjit

Postuar në 30 Janar, 2014 13:07

Ministria e Mbrojtjes ka bërë një kallëzim të dytë për ish-ministrin Arben Imami. Kësaj radhe bëhet fjalë për shitjen një kompanie private të tritolit dhe të skrapit dhe konsiston në shkelje me procedurat tenderuese. Deputeti socialist Taulant Balla ka dhënë disa hollësi në profilin e vet në Facebook mbi kallëzimin. Më saktë e ka zbardhur atë. Në mënyrë të pjesshme kallëzimi ka këtë përmbajtje: “ULP Mjekës, me urdhër të Arben Imamit ka realizuar shitjen e një sasie prej 500 ton TNT, bazuar në kontratën e shitjes nr. 182 datë 21.05.2013 me blerës shoqërinë “BABASI COO sh.p.k”. Janë konstatuar edhe shkeljet dhe mangësitë si vijojnë: Kontrata është lidhur përpara se blerësi të pajisej me autorizim nga AKSHE për transferim ndërkombëtar të mallrave ushtarake, në shkelje të pikës 8 të udhëzimit nr 4 datë 07.05.2010 “Për përcaktimin e procedurave dhe strukturave për shitjen e artikujve të dalë jashtë përdorimit e armatimit të FA që janë kategorizuar për përdorim ushtarak....”...Kompensimi me mall i një detyrimi në para rrjedhojë e procesit të demontimit bie në kundërshtim me VKM nr. 432 datë 26.06.2006, si dhe të udhëzimit të përbashkët të MM me MF nr. 2 datë 06.02.2012, sipas të cilit të ardhurat me para duhet të kalojnë në buxhet. Çmimi prej 450 USD/ton është përcaktuar vetëm mbi bazën e kërkesës së blerësit (firma Babasi Coo sh.p.k), pa bërë testimin e tregut, pa përcaktuar specifikimet teknike dhe pa një vendim për përzgjedhjen e ofertës më të mirë...Për veprimet e mësipërme në kundërshtim me ligjin, mbajnë përgjegjësi Arben Imami, ish Ministër i Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe Daniel Karanxha, ish-Drejtor i ULP Mjekes, Ministria e Mbrojtjes”. Kallëzimi ka disa ditë që është bërë, por vetëm sot është bërë publik. Ende nuk dihet nëse Prokuroria do të thërrasë Arben Imamin, apo nëse ndaj tij mund të nisë procedimi penal, por duket se qeveria e re është e angazhuar në këtë drejtim.

s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.