Indikatori i rendit: Eksplozivët, ambasada e SHBA-së porosit shtetasit e saj të bëjnë kujdes me parkimet

Porositë e ambasadës amerikane për qytetarët e vet në Shqipëri, tashmë janë kthyer në indikator të gjendjes së rendit në vend. Kështu, në klimën e shpërthimeve me eksplozivë të shpeshtuar gjithnjë e më shumë, ambasada nuk ka munguar së fundi t’i porosisë shtetasit e saj të bëjnë kujdes. Ambasada i këshillon amerikanët të jenë vigjilentë kur parkojnë makinat e tyre në vende pa roje, të shmangin parkimin gjatë natës në zona jo të sigurta si dhe të kontrollojnë mjetin për çdo send të dyshimtë.
“Raportimet e fundit në media kanë nënvizuar rritjen e përdorimit të eksplozivëve që kanë në shënjestër individë të përfshirë në konflikte biznesi apo personale. Tritoli është përdorur për të goditur makinat e individëve dhe ka lënë të vdekur e të plagosur në shumë raste. Ambasada nuk ka informacione specifike për kërcënime ndaj qytetarëve amerikanë megjithatë i kujtojmë shtetasve tanë të jenë vigjilentë kur parkojnë makinat e tyre në vende pa roje, të shmangin parkimin gjatë natës në zonë jo të sigurta si dhe të kontrollojnë mjetin për çdo send të dyshimtë. Nëse shohin ndonjë gjë të dyshimtë të njoftojnë menjëherë policinë.”- thuhet në mesazhin që ambasada ka publikuar dje në gjuhën angleze në seksionin “Security messages for US Cityzen”, të faqes së saj online.
a.k
Add new comment