Hapet dialogu serbo-shqiptar. Vuçiç: “Marrëdhëniet tona, strategjike”. Rama flet për paqen, të drejtat e shqiptarëve të Preshevës, Shqipërinë e Madhe, Maqedoninë dhe raportet me Greqinë

Ka kaluar ajo që mund të quhet faza e parë e vizitës së kryeministrit serb, Aleksander Vuçiç, në Tiranë. Vuçiç është pritur në Rinas nga zv.kryeministri Niko Peleshi, mandej ai është pritur në Pallatan e Brigadave nga kryeministri Edi Rama, me të cilin ka zhvilluar një takim 40 minutësh. Tendosja e krijuar nga ndonjë deklaratë e papërshtatshme është kapërcyer tërësisht në konferencën për shtyp mes të dyve, ku problemet mes dy vendeve, apo ato që jehojnë edhe në rajon, janë trajtuar me përgjigje direkte. Edi Rama është pyetur edhe dronin e Beogradit, apo për Shqipërinë e Madhe. Për të parin, kryeministri shqiptar tha se “incidenti i Beogradit tregoi se paqja e shumëkërkuar është aq e brishtë saqë mund të cenohet edhe nga një top futbolli”. Fjalën paqe dhe integrim, Edi Rama i ka përmendur disa herë, sikurse ka nënvizuar se Ballkani ka nevojë për të perceptuar veten, ndryshe, jo si barrë për Europën, por si domosdoshmëri për të. Lidhur me Shqipërinë e Madhe, kryeministri shqiptar ka deklaruar se “ky është një projekt, apo ide që është përomoviuar nga ata që nuk e duan të mirën e shqiptarëve”. “Ne duam heqjen e kufijve mes nesh, së përi mes shqiptarëve, por edhe mes nesh dhe serbëve. Kaq ua kemi detyrim njerëzve tanë”, tha kryeministri shqiptar. Lidhur me Kosovën, kryeministri serb, Vuçiç, është kujdesur që t’i përmendë me emrin që thirren në Serbi, Kosova dhe Metohija, të cilat siç tha ai, “Serbia i quan të vetat”. Ky moment është kapërcyer pa ndonjë ekses emocional, përderisa Rama ka theksuar se: “Ne jemi për dialogun. Ne kemi propozuar që dy liderët e dialogut, Thaçi dhe Daçiç, bashkë me baroneshën Ashton të marrin çmimin Nobel. Nga ana tjetër mendimi im dhe qëndrimi im për Kosovën e pavarur as ka ndryshuar e as do të ndryshojë. Por ju sot jeni miq në shtëpinë tonë dhe ne respektojmë mendimet dhe sensibilitetin e miqve”. Kosova si çështje nuk i cenon më, ose nuki i bllokon më marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë që po shihen edhe nga komuniteti ndërkombëtar si investim për paqe të qëndrueshme në Ballkan. Evoluimi i situatës që nga viti 1999 e ka sjellë edhe Serbinë në një qëndrim realist, edhe pse në planin deklarativ ato duken të ngurtësuara. “Unë do të them se ne mendojmë ndryshe dhe deklaratat i kemi ndryshe, por kjo mënyrë nuk mund të ndryshojë marrëdhëniet tona strategjike në të ardhmen. Dëshiroj të falënderoj për mikpritjen. Dy herë deri tani e kam pritur Ramën, jemi parë në disa vende të botës, kemi biseduar haptas edhe kur nuk jemi pajtuar. Marrëdhëniet mes Shqipërisë e Serbisë janë të një rëndësie kyçe për Ballkanin”, tha kryeministri serb që ka përmendur edhe autostradën Nish-Durrës(http://koha.net/?id=27&l=59279).
Të drejtat e shqiptarëve të Preshevës, situata në Maqedoni, marrëdhëniet me Greqinë
Në konferencën për shtyp, kryeministri shqiptar ka folur edhe për tri çështje të tjera: të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Edi Rama ka kërkuar nga pala serbe që të zbatojë të njëjtat të drejta për shqiptarët e Preshevës, si ato që ndiqen për serbët e Kosovës. I pyetur për të drejtat e serbëve në Shqipëri, kryeministri ka deklaruar se nuk ka asnjë ankesë në këtë drejtim dhe se për këtë Shqipëria është krenare.
Çështja e dytë është situata në Maqedoni. Edi Rama ka hedhur poshtë informacionin e qarkulluar se Shqipëria do të vërë veto për Maqedoninë në NATO. Sipas tij, Shqipëria si anëtare e NATO-s, flet në emër të saj kur vjen puna për çështje të sigurisë. Qëndrimi dhe kërkesa e Tiranës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, si kusht për Maqedoninë, buron nga Samiti i Uellsit dhe aspak nga ndonjë kërcënim i Shqipërisë. Më tej ai ka shtuar se Nikolla Gruevski do të jetë në Tiranë në kuadër të Konferencës rajonale që po zhvillohet duke hequr kështu çdo dyshim.
Çështja e tretë ishte marrëdhëniet me Greqinë, përballja për ujërat dhe deklarimet për zgjedhjen e Shpëtim Idrizit nënkryetar Parlamenti. Për kërkimet e naftës në Jon dhe për marrëveshjen e detit, kryeministri shqiptar ka nënvizuar se Shqipëria ka kërkuar atë që është praktikë rutinore diplomatike dhe e të drejtës ndërkombëtare. “Ne nuk negociojmë interesin kombëtar”, tha ai, duke shtuar se “kemi patur marrëdhënie të mira me qeverinë e Samaras dhe kemi qenë të gatshëm për të nisur bisedimet për marrëveshjen e re të detit”. Lidhur me qëndrimet e Athinës zyrtare për zgjedhjen e Idrizit nënkryetar Parlamenti, Rama tha: “Ne nuk mund të imagjinojmë që të komentojmë apo ndërhyjmë se kë zgjedh Athina në parlament apo diku tjetër. Ndaj as që nuk mund të imagjionojmë që të na tregojë kush se kë do të zgjedhim. Këto janë probleme tërësisht artificiale”.
s.z
Comments
Fjalw, Ramzot,
Fjalw, Ramzot, fjale...
Opozitaret e tu, shqiptare jane edhe keta, si ata re Podujeves por ti i quan shquptare dhe kerkon ti nxjerresh nga defteri dare!
Add new comment