Gënjeshtrat publike të politikës për kandidatë të inkriminuar, përzgjedhja e të cilëve "poshtëron shqiptarët”

Postuar në 17 Qershor, 2015 11:41

“BIRN” shkruan sot në një shkrim të vetin për kandidatët me të shkuar kriminale. Ndonëse palët kanë mohuar që mes përzgjedhjeve të tyre të ketë edhe të inkriminuar, duket se dyshimet e qëndrueshme për këtë mbeten në fuqi. Aq më tepër që edhe një diplomat si ambasadori amerikan përsërit shpesh që të mos votohen kandidatët e inkriminuar. Po kush janë këta? “Prova të siguruara nga BIRN tregojnë se dy kandidatë që garojnë për koalicionin e udhëhequr nga Partia Socialiste, Artur Bushi dhe Elvis Rroshi, të cilët kërkojnë postet e kryebashkiakëve në Krujë dhe Kavajë, kanë qenë të arrestuar për trafik droge. Një kandidat nga Partia Demokratike për bashkinë Këlcyrë, Gentian Muhameti, është ndërkohë i dënuar për trafik droge. Gjithsesi, Partia Demokratike më vonë e tërhoqi Muhametin nga lista e saj e kandidatëve, dukshëm nën presion nga BE dhe SHBA-të. Partia në pushtet nuk e ka bërë këtë”, thuhet në shkrimin e “BIRN”. Për të konfirmuar këto dyshime rrjeti gazetaresk në fjalë ka kontaktuar edhe burime policore të vendeve të tjera. “...megjithëse Bushi u arrestua, ai nuk u dënua, tha për BIRN zyra e prokurorisë së Busto Arsizio. “Ai qe pranë bosit të bandës Morrigia”, shtoi ish-shefi i policisë, aktualisht në pension. Një kandidat tjetër i akuzuar në të shkuarën – dhe i dënuar – për trafik droge, është ajo e kryetarit të bashkisë Kavajë Elvis Rroshi, i njohur gjithashtu si Ervin Rroshi. Para se të bëhej kryebashkiak, Rroshi qe dënuar në Zvicër për shpërndarje droge. Një zyrtar i Zvicrës, i cili foli në kushtin e anonimatit, i tha BIRN se të dhënat policore të Zvicrës tregojnë se Rroshi qe subjekt procedimi penal nga viti 1993 deri më 1997. “Ai u hetua për trafik droge dhe shpërndarje, por nga ajo që mund të shoh unë, qe një peshk i vogël,” tha zyrtari i policisë për BIRN. “Atij iu dha një dënim i vogël dhe u deportua në Shqipëri pas periudhës së paraburgimit,” shtoi ai. I njëjti burim tha se autoritetet e Shqipërisë patën kërkuar informacion në vitin 2011 nga homologët e tyre zviceranë nëse Rroshi qe dënuar për trafik droge dhe pastrim parash dhe se ata e patën marrë përgjigjen. “Interpol Tirana mori të njëjtin informacion,” specifikoi zyrtari zviceran…
Gentian Muhameti, kandidat për Këlcyrën, i cili më pas u tërhoq nga Partia Demokratike, qe arrestuar gjithashtu në Itali më 1997, për trafik droge. Eliana Martella, zëdhënëse e policisë për qytetin e Leçes në Italinë e jugut i tha BIRN se Muhameti qe arrestuar më 20 janar 1997 në Melendugno, provinca e Leçes, me 30 kilogramë marijuanë. “Ai u dënua me dy vjet burg dhe me 15 milionë lireta [gjobë] (në atë kohë rreth 7,500 euro. Ai e pranoi fajin dhe përfitoi një dënim [të reduktuar] prej një viti e gjashtë muajsh burg dhe 10 milionë lireta [gjobë] më 15 mars 1997””, raporton BIRN. Nisur nga këto të dhëna, edhe kështu zyrtare dhe fare lehtë të posedueshme nga shteti shqiptar, mund të pohojmë se kur kryeministri deklaron se asnjë prej kandidatëve të ASHE-së nuk është i ish-i dënuar, ai po konsumon një mashtrim përmes talljes. Kjo pasi vërtet që nuk ka vendime gjyqi të formës së prerë, por ka procedime dhe informacione që flasin për dyshime reale për njerëz që vijnë nga mjedise të krimit. Është katandisja e Shqipërisë që lejon një kryeministër të flasë në këtë mënyrë dhe “fati cinik” që paralel me këtë, dy ambasadorë, ai i SHBA dhe i BE deklarojnë se: “Të vendosësh nëpër lista njerëz për të cilët ka të dhëna se janë të përfshirë në aktivitet kriminal, veçanërisht trafik droge, trafik qeniesh njerëzore dhe prostitucion, është fyese dhe poshtëruese për qytetarët, votat e të cilëve kërkojnë këto parti politike”.
http://www.reporter.al/zbardhet-e-shkuara-kriminale-e-kandid...
s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.