Fushata/Operacion paraushtarak i LSI-së në Vorë. Deputeti i PD-së, Astrit Patozi paralajmëron gjakderdhje

Kush dëshiron të njohë aftësitë e LSI-së në zgjedhje le të dalë një xhiro nga Vora. Ka ditë që raportohen probleme, që bllokohet biznesi i kreut aktual të bashkisë, Fiqiri Ismaili, që flitet për listat, apo edhe për presione. Të gjitha këto janë trajtuar në në letër të hapur të deputetit të PD-së, Astrit Patozi, i cili ua adreson letrën drejtuesve kryesorë në vend, përveç Ilir Metës, që është kryetar Kuvendi. “Mos mendoni se në letër është harruar kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, porse mungesa e tij këtu ka lidhje të drejpërdrejtë me thelbin e problemit”, shkruan Patozi. “Ka një presion permanent mbi votuesit e opozitës, I cili shkon nga goditjet fizike, e deri tek kërcënimet nën tytën e armëve. Por shqetësimi më i madh qëndron në faktin se policia është tërëisht e përfshirë në fushatën e njërës palë, dhe më e rënda fare, se ajo është pothuajse gjithmonë e koordinuar, dhe në shumicën e rasteve në një bashkëpunim të hapur me kontigjente të krimit të organizuar. Janë me dhjetëra rastet, kur personat kërcënohen nga individë me precedentë penalë, dhe fill pas kësaj, thirren në stacionin e policisë së Vorës apo në komisariatin nr. 6 në Tiranë. Qytetarët e dhunuar ankohen për shefin e komisariatit 6, Bujar Laze, shefin e stacionit të policisë Vorë, Tonin Laska dhe inpektorin e krimeve, Përparim Zenuni, që shquhen për veprime arbitrare dhe të hapura në favor të mazhorancës...”, shkruan Patozi. Deputeti demokrat shton se ishte ndërhyrja direkte e kryeministrit që Fiqiri Ismailit, t’i zhbllokohej licenca e biznesit të vet, pezulluar për shkak të angazhimit politik. Patozi vijon me të tjera hollësi, duke paralajmëruar se në Vorë mund te ketë edhe gjakderdhje. Por duke na konfirmuar edhe njëherë se ky kapacitet i LSI-së në terrenin elektoral, është një nga arsyet qendrore për të cilat Edi Rama u ul në prehrin e Ilir Metës dy vjet më parë.
s.z
Add new comment