Flet një nga muslimanët në kërkim: Jam i pafajshëm; sheriatin e aspiroj, por në Shqipëri nuk janë kushtet akoma

Gerti Pashaj flet per Tonight Ilva Tare nga qyteti i Bursas ne Turqi dhe rrezon akuzat e ngritura nga policia per nxitje te terrorizmit
INTERVISTA:
Përshëndetje nga studio e Tonight Ilva Tare, në Tiranë, ju Gerti Pashaj nga flisni?
Unë për momentin flas nga Turqia, këtu ku kam qenë gjithnjë dhe për një kohë disa mujorëshe unë ndodhem në Turqi dhe menjëherë edhe kur janë bërë akuzat unë e kam provuar që ndodhem në Turqi dhe nga këtu po flas.
Emri yt është i pari në listën e pesë personave të shpallur në kërkim nga policia me akuzën se ju keni ndihmuar besimtarë myslimanë për t’i çuar në luftë në Siri. Si i përgjigjeni këtyre akuzave që janë ngritur ndaj jush?
Në rradhë të parë, vetë deklarimet e prokurorisë janë kontradiktore për këtë çështje. Edhe kur është bërë seanca e parë e të akuzuarve të tjerë, seanca është shtyrë për arsye të mbledhjes së provave dhe deri tani nuk është paraqitur një provë konkrete në lidhje me këtë nga ana e saj dhe normalisht që nuk e pranoj një akuzë të tillë porse kjo ka dy përgjigje dhe nga ana e veprimtarisë sime personale dhe nga ana ligjore edhe nëse dikush e ka kryer një vepër të tillë, kjo nuk është e parashikuar në ligjin shqiptar si krim.
Ju a jeni në dijeni të besimtarëve myslimanë apo të miqve, shokëve tuaj të cilët kanë shkuar për të luftuar në Siri apo më lër ta bëj pyetjen të drejtpërdrejt. A ke rekrutuar ti ndonjë mik tëndin, besimtar mysliman që të shkojë të luftojë në Siri?
Shokët e mi ndodhen të gjithë në Shqipëri dhe për këtë ma ha mendja se shteti pasi pretendon që ka futur njerëz në mesin tonë për të na hetuar dhe për të na përgjuar dhe për të na ruajtur, e vërteton më mirë.
Ti nuk ke ndihmuar dikë që të shkojë në luftë apo t’i kesh thënë që -“Po të shkosh në Siri dhe të luftosh për vëllezërit myslimanë atje, do të ishte një gjë shumë e mirë në emër të Allahut”?
Shikoni, çfarë do të thotë rekrutim njëherë se nuk e kuptoj fjalën?
Rekrutim në kuptimin që, përshembull, në shtypin shqiptar, nuk e di nëse ke patur mundësi t’i ndjekësh, është thënë që kanë shkuar besimtarë për të luftuar dhe kundrejt shkuarjes në luftë, u janë ofruar edhe pagesa. Flitet për 150 dollarë në muaj, kanë marrë edhe familjen, ka edhe vajza, ka edhe fëmijë.
Ai që ikën me familjen e vetë, ma ha mendja se në Shqipëri rrogat janë më të larta se 150 dollarë. Është qesharake që një person të lërë një rrogë të rehatit me 2-300 mijë lekë apo 500 mijë lekë shqiptare dhe të ikë të luftojë në Siri për 150 dollarë. Kjo është…
Pra për para nuk do ta bënin. Po për ideal, për besimin ndaj Zotit mund ta bëjnë?
Normalisht për ideal mund të shkojë çdokush sepse çdokush në bazë të asaj që mund të besojë, qoftë për ato të cilët besojnë për demokraci shkojnë luftojnë në shtete të ndryshme për të vendosur demokracinë, mund të ketë edhe njerëz të tjerë që mund të shkojnë për të rrëzuar një diktator dhe kjo është zgjedhje personale e çdo individi.
Ju vetë keni patur ndonjë dëshirë që të shkoni në Siri e të luftoni?
Nuk e di, edhe mund të ketë lindur, edhe mund të mos ketë lindur por përderisa nuk kam shkuar deri tani, nuk mund të them diçka të prerë
Nuk keni shkuar asnjëherë në Siri?
Jo , unë jam në Turqi. Shteti shqiptar ka akuzuar një shtetas i cili ndodhet në një shtet sovran siç është Turqia, anëtar i NATOS-s, që gjoja ka kryer akte terroriste pao ka thirrur për terrorizëm e të tjera me rradhë, ndërkohë që këtu ka një shtet. Mund t’i bëhet një kërkesë shtetit turk për këtë gjë, a e ka ky person këto gjëra apo jo? Si i dikan gazetarët shqiptarë gjëra qesharake që filani rri në një bazë në Turqi, ça është Turqia? Turqia është vend që çdo centimetër e ka me kamera. Unë qëndroj në qytetin e Bursas.
Çfarë bën në Turqi?
Unë jam student në fakultetin Teologji.
Prej sa kohe e keni filluar?
Unë e kam filluar në vitin 2004. Më shkëputën atëherë nga Turqia për arsye financiare, nuk kisha mundësi ta vazhdoja dhe për të qenë dhe më afër familjes jam rregjistruar në Universitetin e Elbasanit në degën e shkencave sociale
Edhe sa kohë do qëndrosh në Turqi?
Mund të zgjasë për katër vite.
Ndërkohë nuk ke ardhur fare në Shqipëri?
Unë vazhdimisht kam ardhur në Shqipëri. Katër muajt e fundit nuk kam qenë në Shqipëri pasi kur isha herën e fundit, që erdha për në Shqipëri, më kanë ndaluar në doganën e Kapshticës, nuk e di, ato thonin jemi të antiterrorit apo të shërbimeve sekrete, nuk e di kush ishin.
Por çfarë pyetjesh ju bënë? Në lidhje me këto akuza që ngritën aktualisht ndaj jush?
Po , edhe në autobus polici me pashaportë në dorë tha “pashaporta jote ka parregullsi” , ndërkohë unë e kuptova menjëherë që ishte diçka qesharake pasi pashaporta ime ka kauar në shumë vende dhe nuk ka probleme fare. Pastaj më kanë marrë brenda dhe filloi pak me shaka ai punonjësi i shërbimit sekret, - “mbaroi loja” e të tjera me rradhë. I kam kërkuar mandat për marrjen në pyetje, s’më kanë treguar. I kam kërkuar identitetin e tyre, s’më kanë treguar dhe pastaj më kanë thënë që ne kemi informacione që ti ke shkuar në Siri e të tjera me rradhë, kemi dosjen këtu por po të pyesim ty njëherë. I thashë , ‘filloni nga dosja, s’keni si më pyesni mua. Nëse ju keni argumentin, vërtetojeni.’ Kështu është bërë një bisedë ndërmjet tyre, gati 2 orë, 2 orë e ca dhe më kanë ofruar bashkëpunim me shërbimet sekrete, gjë që s’e kam pranuar dhe më kanë thënë që kjo bisedë të ngelë mes nesh, mos ta tregoj. I thashë që nuk ua premtoj diçka të tillë, në momentin e parë që të mundem do t’ia tregoj njerëzve.
Megjithatë, është bërë një kontroll në banesën tuaj dhe të Altin Met’hasanit dhe janë gjetur 3 arkë me fishekë dhe 41 kapsolla detonatore, të paktën sipas njoftimit të policisë. Pse kishe armë në shtëpi?
Së pari, në njoftimin e policisë ka dalë njoftimi që unë jam arrestuar, që këtu u duk gënjeshtra, ndoshta ju mund ta verifikoni në njoftimin zyrtar që mund t’ju ketë dërguar shteti. Në media ka dalë që është arrestuar Gert Pasha ndërkohë që Gert Pasha jeton i lirë në Turqi. E dyta e punës, në shtëpinë time ka qenë bashkëshortja ime kur është kontrolluar shtëpia dhe në mandatin që kanë paraqitur punonjësit e shtetit, është vërtetuar që në shtëpinë time nuk është gjetur asnjë gjë. Unë kam banuar në Cërrik.
Në shtëpinë tuaj në Cërrik nuk është gjetur asgjë sipas mandatit që ka bashkëshortja juaj?
Po normalisht dhe ata kanë bërë një kontroll pastaj në shtëpinë e babait I cili thotë që nuk kanë qenë në shtëpi, kanë qenë jashtë shtëpisë, dhe kanë gjetur mbetje të ’97-ës, që nuk kanë lidhje fare me mua. Mua kush më njeh më thërret me emrin Muhamet dhe djali im e ka emrin Muxhahit. I kam vendosur emrin Muxhahit pasi ka qenë një nga dijetarët islamë, ka qenë shumë i shquar, sidomos në shkencën e komentimit të Kur’anit.
Pse ky emër Ebu Muxhahiti? Sa kohë ka që ti e ndjek besimin islam, që je besimtar dhe tashmë i ke hyrë edhe studimeve teologjike?
Unë qysh i vogël, edhe si besimtar edhe si studiues. Unë nuk kam lidhje, nuk po hedh fajin mbi ata që janë arrestuar, nuk kam lidhje me ato dy xhami. Hera e fundit që mund ta kem frekuentuar atë xhami, është para 3 vitesh dhe nuk kemi lidhje organike me të. Unë kam qenë edhe anëtar i komunitetit mysliman para disa vitesh.
Që do të thotë që e njihni shtetin laik që është në fuqi në Shqipëri?
Islami si fe nuk e pranon konceptin e shtetit komb sepse në islam është e urryer dashuria nacionale dhe urrejtja nacionale. Prandaj edhe profeti Muhamet ka thënë që nuk ka përparësi i bardhi nga i ziu, i ziu nga i bardhi dhe normalisht nuk ka përparësi arabi nga jo arabi dhe islami nuk e ka njohur shtetin komb edhe gjatë perandorisë osmane, po ta keni vërejtur, kanë egzistuar shumë kombe brenda asaj perandorie dhe pse ishin një shtet i vetëm. Individi mund të njohë dhe të pretendojë çfarë të dojë për veten e tij përderisa kjo nuk kthehet në një krim apo në një luftë apo në një veprimtari kundër shtetit, është e drejtë e tij. Unë kam fenë përpara dhe këtë e them me krenari dhe nuk e fsheh dot. Ai që e fsheh këtë nuk ka lidhje me islamin.
A ke këtu një konflikt me institucionet e shtetit?
Me institucionet e shtetit mund të ketë çdo lloj lëvizje sociale konflikt por përderisa këto nuk kthehen në kontradiktë dhe nuk sjell luftë apo veprime konkrete, nuk mund të quhen faj.
Ti e di që Sheriati kërkon krijimin e një shteti mysliman, jo të një shteti laik dhe ne jemi një shtet laik?
Kjo është dëshira e çdo myslimani por në Shqipëri nuk janë kushtet për një shtet Sheriati.
Por ju nuk doni që të krijohet një shtet Sheriati?
Jo, e dëshiroj. Dëshira ime është krejt ndryshe, veprimi im është krejt ndryshe.
A ke njohuri, a ke njohur në nivel personal ndonjë nga të arrestuarit që janë tashmë nën akuzë?
Unë njoh Edmond Ballën, e kam njohur më herët. Shoku im i vetëm është Edmond Balla i cili ka mbaruar studimet e larta këtu në Turqi për teologji në të njëjtin fakultet ku jam edhe unë dhe këtu jemi njohur me të dhe Edmondi ishte në Shqipër dhe unë në Turqi dhe Edmondi ka qenë punonjës, vërtetë siç thotë babai i tij, që punonte në rikonstruksionin e xhamisë së Nazireshës në Elbasan, tek unaza si punëtor llaçi.
Si do ta zgjidhësh këtë problem që ke me drejtësinë këtu sepse je në kërkim? Do vish së shpejti apo do presësh të mbarosh studimet 4 vjet meqë ke dhe familjen këtu?
Besoj se drejtësia shqiptare nuk ka argumenta që të më shpallë në kërkim sepse edhe vendimi i gjykatës është një vendim për ata që janë mbajtur aty , është që do të vazhdojnë hetimet. Nuk ka një akuzë të vërtetuar dhe jam akoma i akuzuar.
Si e mendon, si do përfundojë procesi ndaj personave që janë të arrestuar në gjykimin tënd?
Shpresoj që të lirohen nga shteti dhe shpresoj që edhe unë të jem njëri prej tyre që të shpallem i pafajshëm.
Mendoni se i është dëmtuar imazhi i besimtarëve myslimanë me këto arrestime, me këto ngjarje, me përflitjen për terrorizëm, për pjesëmarrje në një luftë të shenjtë?
Jo, besoj se është dëntuar imazhi i asaj që Shqipëria synon të arrijë, demokracinë. Asnjë veprim që është bërë nuk është demokratik, ka hyrë policia në xhami me këpucë e me gjëra të tjera të kësaj natyre, që nuk ndodh në asnjë vend të botës që dikush, shteti të shkojë nëpër xhamia dhe nëpër kisha, t’i bastisi ato në mënyrë që nuk i shkon sjelljes civile dhe besoj se kjo më tepër i irriton besimtarët myslimanë dhe i bën që ta shohin shtetin si armik të tyre.
Add new comment