Edhe politika shqetësohet për krimin. Aq sa raporton në media, te partnerët ndërkombëtarë, ose shkruan në Facebook

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim me ambasadorë të vendeve të Bashkimit Evropian, SHBA-së dhe OSBE-së të akredituar në Tiranë. Qëllimi i takimit ka qenë informimi i ambasadorëve me situatën e krijuar në Shqipëri dhe pasqyrimin në të të pikëpamjeve të opozitës. Çështja e parë ka qenë “klonimi, vjedhja dhe manipulimi i të dhënave në serverin qendror të tatimeve”. Çështja e dytë ka qenë situata e rëndë kriminalitetit në vend, të cilën Basha e interpreton si dobësi të strukturave të shtetit dhe shkarkimeve masive të profesionistëve. Me këtë rast, PD-ja ka bërë të ditur se do të iniciojë një hetim parlamentar “mbi shkaqet dhe rrethanat që kanë çuar në këtë degradim të frikshëm të situatës së kriminalitetit në vend me qëllim identifikimin e prioritete dhe hapave për të dalë nga kjo situatë”. Kjo e fundit ka rëndësi pasi zbulon njëfarësoj demagogjinë me të cilën të dyja partitë luajnë në këtë vend. Kështu teksa ministri i Brendshëm dje ngrinte shqetësimin se “nga SHISH nuk ka patur asnjë informacion”, duke shtuar se kjo çon në cenim të sigurisë kombëtare, sot arrestimi i Mitros dhe operacioni në disa qytete flet se policia nuk ka qenë pa informacione, ndonëse mund t’i ketë siguruar ato vetë. Po kështu, opozita shpall se do nisë hetimin parlamentar, për të krijuar një momentum politik si dhe për të “faktuar” paaftësinë e qeverisë në luftë kundër krimit. Ndërkohë është e njohur botërisht se në gjykatat kryesore, në prokurori dhe në SHISH qëndrojnë njerëz të zgjedhur prej saj. Ndaj kjo loja e konsensusit dhe e alarmimit të njërës palë apo tjetrës me mosrespektimin e parimeve dhe të moralit demokratik, për të cilat u qan xhani politikanëve të Tiranës, është shpëlarë tashmë me kohë dhe nuk vlen as për të bindur kalamajtë. Sidomos kur këto klithma idealistësh vijnë nga rrjetet sociale. Çështja duket se është politike, një provë force për të ruajtur ose ripërcaktuar ekuilibrin e tanishëm i ndërtuar përmes kontrollit mbi institucionet që po ngjajnë si feude të njërës parti dhe tjetrës e ku drejtuesit e radhës janë aty pasi kanë bërë investiturën politike. Gjithsesi, mund të thuhet se një "shpresë" është, ambasadorët e huaj, tek cilët opinioni beson se të paktën Ata, nuk do të bien në lojën e politikanëve shqiptarë.
s.z
Add new comment