Dokumentet e përfaqësimit të Dzanashvilit, PD-ja i kërkon një përgjigje Ajola Xoxes, jo PS-së

Partia Demokratike ka rivënë në qarkullim sot dokumentin përmes të cilit biznesmeni Amiran Dzanashvili autorizon ndër të tjerë Ajola Xoxen, bashkëshorte e Erion Velisë, që të përfaqësojë atë dhe kompaninë e tij pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit. Deputeti Gerti Bogdani, ka kërkuar që Xoxe të japë përgjigje për këtë dokument: “Kjo marrëveshje ka shumë hije dyshimi, por dy pyetje janë thelbësore dhe detyrim publik për zonjën Xoxa, bashkëshortja e ministrit, sot kandidatit të Edi Ramës për kryeqytetin. Sa para ka marrë zonja në fjalë nga Dzanashvili për të drejtën e përfaqësimit? A e ka denoncuar ajo tek Drejtoria e Pastrimit të Parave, të dhënat e transaksionit të dyshimtë që lidh Dzanashvillin me Mark Frrokun, ku 30% e aksioneve të kompanisë shiten 300 mijë euro, ndërsa 15% e aksioneve të së njëjtës kompani shiten me 1.8 milionë euro? Këtu kemi të bëjmë me detyrime ligjore, dhe zonja Veliaj, duhet të japë përgjigje,” tha Bogdani. Kjo deklaratë e PD-së sjell në vëmendje dy elementë: së pari se ajo e vë në diskutim deklaratën e biznesmentit Dzanashvili një ditë më parë, sipas të cilit, “ajo zonjë punon për një kompani avokature, e cila është një prej disa kompanive avokature që më përfaqësojnë mua. Kjo kompani avokature më ka prezantuar mua, në një prej blerje që kam zhvilluar. Kompanisë Joy Loto. Kjo zonjë punonte për këtë kompani. Kjo është lidhja”. Së dyti, PD-ja i bën thirrje Ajola Xoxes që të japë një përgjigje, duke lënë mënjanë akuzën e Berishës se Dzanashvili ka financuar fushatën elektorale të PS-së, por edhe duke mos e ngarkuar problemin si faturë të PS-së. Për këtë arsye ngjan e qëllimshme dhe me synime mbrojtjen politike, reagimi para një jave i Taulant Ballës, nënkryetar i Grupit Parlamentar të PS-së. Balla foli në mbrojtje të Xoxes, ndërkohë që problemi formalisht ka të bëjë me të dhe jo me partinë e bashkëshortit.
s.z
Comments
ka shkelje ligjore qe bie
<p>ka shkelje ligjore qe bie ndesh me ligjet e shtetit, n.se ka. dokumentet prokurorise. kaq eshte e thjeshte. po nuk eshte ky problemi, e keqja e ketij vendi eshte qe eshte ngritur ne sistem korupsioni si nga majta po ashtu e djathta. gjera o djale meren me rralle , ka shume perpara kesaj zonje qe duhen te refehen para ketij populli te mjere dhe te pa fat.po nejse sa per muhabet shkrojta, se edi qe nuk do te ndryshoje gje. pershendetje nga larg.</p>
Add new comment