Deputeti shqiptar Halimi vlerëson si historike vizitën e Ramës në Serbi. Por përgenjështron Mrkiç dhe kujton se ka mjaft probleme për shqiptarët në Luginën e Preshevës

Postuar në 23 Janar, 2014 14:44

Riza Halimi, deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë ka folur sot në emisionin "Diplomaticus" rreth vizitës së pritshme të kryeministrit Edi Rama në Beograd. Së pari, Halimi e ka cilësuar historike vizitën e Ramës, por ka nënvizuar disa probleme, të cilat sipas tij duhet të trajtohen në takimet me politikanët serbë. Së pari, Halimi ka hedhur poshtë deklaratat e ministrit të Jashtëm serb, Ivan Mrkiç, sipas të cilit shqiptarët në Luginën e Preshevës gëzojnë të gjitha të drejtat. Për të ilustruar situatën në këtë rajon, Halimi ka sjellë edhe një shifër për zonën e Medvegjës që sipas tij ndodhet në kushtet e spastrimit etnik. “Nga 5500 Shqiptarë që ishin regjistruar në vitin 1981, tashmë atje ndodhen vetëm 700 Shqiptarë, dhe ky rrezik është i pranishëm edhe në Bujanovc dhe në Preshevë”, ka thënë ai. Janë një mori problemesh që lidhen me të drejtat e njeriut, të cilat në planin juridik Serbia i ka zgjidhur, por në praktikë është ende larg. Ndërkohë që Tirana zyrtare i ka dhënë komunitetit të deklaruar si serb në Libofshë të drejtën e një shkolle, në Preshevë sipas Halimit nuk po zbatohen ende disa kërkesa si amnistia për ushtarët e UÇPMB-së, rikthimi i shqiptarëve, apo edhe eleminimi i papunësisë. Është fjala jo për mbingarkim të axhendës, por për një barazi në emër të dinjitetit përballë politikanëve serbë, të mësuar të kërkojnë nga të katër anët sa më shumë të mundin. Nëse Mrkiç ta zëmë ngre çështjen e të drejtave të komunitetit serb në Shqipëri, por pranon se ka qenë i pranishëm në përurimin e shkollës së këtij komuniteti në Libofshë, faqja zyrtare e Komitetit Shtetëror për Minoritetet, e cila është agjenci e qeverisë dhe paguhet me paratë e shqiptarëve, “i lë targën” ministrit serb kur shkruan në rubrikën e vet përkatëse për minoritetin serb se “që nga viti 1934 nuk egziston asnjë formë e arsimimit në gjuhën amtare për pjesëtarët e pakicës serbo-malazeze në Republikën e Shqipërisë”. (http://www.kshm.gov.al/v1/?cat=14). Çka nuk është e vërtetë. Dhe meqë ra fjala te minoritetet, faqja e Komitetit Shtetëror për Minoritetet ka disa elementë informativë me interes. Renditja e treguesve për minoritetet është nga minoriteti grek, maqedonas, rom, serbo-malazez dhe ai vllah. Për minoritetin grek “Faqja eshte ne ndertime” (http://www.kshm.gov.al/v1/?cat=11), për minoritetin maqedonas ka të dhëna të mjaftueshme, për minoritetin rom materiali është i integruar dhe kemi të bëjmë me strategji kombëtare, për minoritetin vllah ka disa materiale, ndërsa për minoritetin serbo-malazez përfshihen deri edhe emra personash.

s.z  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.