Bushati gjatë takimit SEECP: Hetim të plotë Kumanovës, ngjarjet rrezikojnë integrimin e rajonit në BE

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati deklaroi sot se ngjarjet në Kumanovë cenojnë integrimin e rajonit në BE. Gjatë fjalës në Ministerialin e SEECP, kryediplomati shqiptar, Bushati tha se ngjarjet e fundit në rajon rrezikojnë procesin e integrimit. “Duhet të lëmë mënjanë mosmarrëveshjet e të shkuarës. Duhet të punojmë për të krijuar një të ardhme të përbashkët për integrimin e rajonit. Bashkimi Evropian është synimi ynë i përbashkët dhe ndasitë e të shkuarës janë pengesa kryesore në këtë drejtim”, tha ai. Duke folur për ngjarjet në Kumanovë, ministri Bushati i cilësoi si të rrezikshme në rrugën drejt integrimit, teksa kërkoi zbardhje të plotë të ngjarjes. “Të bëjmë më shumë që çështjet në Maqedoni të zbardhen, të zgjidhim mosmarrëveshjet, siguria e çdo vendi të jetë e pandashme nga siguria jonë. Ne kemi kërkuar që ngjarjet të hetohen plotësisht, në mënyrë të besueshme dhe transparente. Pikërisht në këtë sfond, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të intensifikojnë përpjekjet e përbashkëta brenda kuadrit të procesit të Berlinit”, tha ai. Sipas Bushatit, Shqipëria do të vazhdojë të promovojë paqen dhe stabilitetin në rajon. Ai përmendi dhe një sërë arritjesh të Shqipërisë në rrugën e integrimit, ku theksoi se është e rëndësishme që reformat të jenë të kuptueshme nga qytetarët.
Add new comment