Blendi Fevziu analizon sërish PD e Bashës dhe shkruan për nevojën e një “elite të re”

Postuar në 03 Mars, 2014 10:29

Për të dytën herë brenda pak ditëve, gazetari i njohur Blendi Fevziu analizon zhvillimet në kampin opozitar. Një javë më parë, Fevziu analizonte liderin e ri të demokratëve Lulzim Basha, duke theksuar faktin se ai “nuk mund të jetë Berishë”. Në analizën e dytë, të botuar sot në të përditshmen “Panorama”, Fevziu analizon zhvillimet e brendshme në PD dhe ekipin drejtues të saj, duke mbështetur tezën se Basha nuk duhet të vonohet më për zgjedhjen e anëtarëve të ekipit të ri. Në analizën e tij, gazetari i njohur përmend precedentët e mëparshëm të ndryshimeve të ekipeve drejtuese të partive politike kryesore, që në vetvete justifikojnë edhe ndryshimet “radikale” në ekipin drejtues. “Historia politike shërben shpesh si një shembull i mirë për të krahasuar situatat e ngjashme. Në zgjedhjet e vitit 1992, PS e atëhershme, për arsye edhe specifike, e kishte kryer rinovimin e saj përpara zgjedhjeve të 22 marsit. Si pasojë, në Parlamentin shqiptar Grupi i PS përfaqësohej me më shumë se 75% të deputetëve që hynin për herë të parë, midis tyre edhe emra 23–24-vjeçarësh si Ilir Meta, Pandeli Majko apo Ndre Legisi. Ky ekip hyri në betejën politike pa mbajtur mbi shpinë përgjegjësinë që paraardhësit e tyre në parti kishin në raport me shoqërinë shqiptare. Në vitin 1997, pas humbjes në zgjedhjet e sforcuara të 28 qershorit, PD e kompletoi ekipin e saj të ri brenda nëntorit. Një ekip që la pas shpine përgjegjësinë që PD kishte pasur në Ekzekutiv dhe që u mbështet kryesisht te deputetë të rinj. Emra si Topalli, Pollo apo Bode nuk kishin pasur thuajse asnjë përgjegjësi konkrete në forumet paraardhëse.  Në vitin 2005, PS i zgjodhi drejtuesit e saj në tetor. Në kushte të ndryshme nga ato të PS së ’92-shit dhe të PD së ’97-s, Rama ndërtoi një ekip të ri kryesisht në forume dhe në imazhin mediatik të partisë. Ekip që i përfaqësuar nga Tahiri, Shalsi, Beqja, Balla, u bë baza e rinovimit të Grupit Parlamentar në qershor 2009! Edhe pse shkurti i vitit 2014 mbeti pas, PD ende nuk ka një ekip të ri dhe gara mbetet pezull” shkruan Fevziu. Kjo vonesë në përzgjedhjen e ekipit të ri, sipas gazetarit, mund të jetë e dëmshme për opozitarizmin që po bën Partia Demokratike. Këtu përmendet fakti se denoncimi nuk mund të bëhet me përgjegjësit që humbën zonat e tyre më 23 qershor.

Ndërsa rendit një nga një argumentet se pse duhet rinovuar ekipi drejtues i PD, Fevziu  shkruan se pas largimit të Berishës, Basha duhet të përshtasë partinë me filozofinë e tij politike. “Kjo bëhet kryesisht përmes një elite të re në parti, një elite që përcjell frymën e tij. Vetëm kështu PD do krijojë fizionominë e re të nevojshme për shoqërinë shqiptare të 2017-s e më tej.  Ardhja e një brezi të ri politik shërben si frymëzim për të ringritur entuziazmin e gjymtuar të militantëve të partisë dhe për ta afruar partinë me “brezin gri”, jetik për fitoren e zgjedhjeve. Drejtuesit që nuk janë direkt përgjegjës për dështimet e së shkuarës, qoftë edhe për humbjen në zona të caktuara elektorale, janë pa dyshim të pakompleksuar dhe më dinjitozë përballë elektoratit shqiptar” vijon analiza.

 

Analiza e plotë: http://www.panorama.com.al/2014/03/03/perse-duhet-rinovuar-pd/

k.k

Comments

Submitted by Pema (not verified) on

<p>Sic e thash dhe tek Panorama, analize e sakte. Fevziu harron vetem nje gje. Basha duhet te distancohet nga Berisha. Nerezit nuk duhet te mesojn rreth strategjis se PD-s nga postimet e Berishes ne Facebook. Nese elektorati dyshon se Berisha eshte akoma defakto kryetar i PD-s, ose akoma vendos per strategjine e PD-s, veshtire se do ia japi voten PD-s.</p><p>Per mire apo per keq, Berisha duhet te behet pjese e historise, perndryshe PD-ja do ta shijoje opoziten edhe per te pakten 12 vite (8 vite ne opozite jane te sigurta).</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.